×
  • Lajme
  • Lajme

    New York Times: Ja si funksionon vaksina anti-Covid, që po bëhet dhe në Shqipëri

    Insajderi
    08 April 2021 - 20:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania private kineze Sinovac zhvilloi një vaksinë të koronavirusit të quajtur CoronaVac. Vaksina është aprovuar për përdorim në Kinë dhe është e autorizuar për përdorim emergjent në një duzinë vendesh të tjera. Studiuesit në Turqi dhe Brazil zbuluan se vaksina ka një efikasitet prej 83.5 përqind kundër infeksioneve Covid-19 me një ose më shumë simptoma, ose pak më shumë se 50 përqind kundër infeksioneve me ose pa simptoma.

    Një vaksinë e bërë nga koronaviruset

    CoronaVac funksionon duke mësuar sistemin imunitar që të prodhojë antitrupa kundër koronavirusit SARS-CoV-2. Antitrupat bashkohen me proteinat virale, të tilla si të ashtuquajturat proteina “spike” që kapen pas sipërfaqes së saj.

    Për të krijuar CoronaVac, studiuesit e Sinovac filluan duke marrë mostra të koronavirusit nga pacientët në Kinë, Britani, Itali, Spanjë dhe Zvicër. Një mostër nga Kina përfundimisht shërbeu si bazë për vaksinën.

    Vrasja e virusit

    Studiuesit rritën rezerva të mëdha të koronavirusit në qelizat e veshkave të majmunit. Pastaj i “shuajtën” viruset me një kimikat të quajtur beta-propiolakton. Përbërja i çaktivizoi koronavirusët duke u lidhur me gjenet e tyre. Koronavirusët e çaktivizuar nuk mund të shumoheshin më. Por proteinat e tyre, përfshirë edhe spike-t, mbetën të paprekura.

    Studiuesit më pas nxorrën viruset e inaktivuar dhe i përzien me një sasi të vogël të një përbërjeje me bazë alumini. Kjo përbërje stimulon sistemin imunitar për të rritur reagimin e tij ndaj një vaksine.

    Viruset e çktivizuar janë përdorur për më shumë se një shekull. Jonas Salk i përdori ato për të krijuar vaksinën e poliomelitit në vitet 1950, dhe ato janë baza për vaksinat kundër sëmundjeve të tjera duke përfshirë tërbimin dhe hepatitin A.

    Nxitja e një reagimi imunitar

    Për shkak se koronavirusët në vaksinën CoronaVac janë të vdekur, ato mund të injektohen në krah pa shkaktuar Covid-19. Sapo të futen në trup, disa prej viruseve të inaktivuar gëlltiten nga një lloj qelize imune që quhet qelizë njohëse antigjeni. Kjo qelizë e copëton koronavirusin dhe shfaq disa nga fragmentet e tij në sipërfaqen e vet. Një e ashtuquajtur qelizë T ndihmëse mund të zbulojë fragmentin. Nëse fragmenti gjen vend në një nga proteinat e saj sipërfaqësore, qeliza T aktivizohet dhe mund të ndihmojë në rekrutimin e qelizave të tjera imune për t’iu përgjigjur vaksinës.

    Krijimi i antitrupave

    Një lloj tjetër i qelizave imune, i quajtur qeliza B, gjithashtu mund të hasë në koronavirusin e inaktivuar. Qelizat B kanë proteina sipërfaqësore në një larmi të madhe formash, dhe disa mund të kenë formën e duhur për t’u kapur në koronavirus. Kur një qelizë B bllokohet, ajo mund të tërheqë një pjesë ose të gjithë virusin brenda dhe të paraqesë fragmente të koronavirusit në sipërfaqen e vet.

    Një qelizë ndihmëse T e aktivizuar kundër koronavirusit mund të mbërthehet në të njëjtin fragment. Kur kjo të ndodhë, qeliza B aktivizohet gjithashtu. Ajo përhapet dhe nxjerr antitrupa që kanë të njëjtën formë si proteinat e tyre sipërfaqësore.

    Ndalimi i virusit

    Pasi të vaksinohemi me CoronaVac, sistemi imunitar mund t’i përgjigjet një infeksioni të koronavirusëve të gjallë. Qelizat B prodhojnë antitrupa që ngjiten tek “pushtuesit”. Antitrupat që vën ë në shënjestër proteinën “spike” mund të parandalojnë hyrjen e virusit në qeliza. Lloje të tjera të antitrupave mund të bllokojnë virusin me mjete të tjera.

    Kujtimi i virusit

    Ndërsa CoronaVac mund të ofrojë një mbrojtje kundër Covid-19, askush ende nuk mund të thotë se sa zgjat ajo mbrojtje. Eshtë e mundur që niveli i antitrupave të bjerë me kalimin e muajve. Por sistemi imunitar gjithashtu përmban qeliza të veçanta të quajtura qelizat B të kujtesës, që mund të ruajnë informacionin për koronavirusin, për disa vite apo edhe dekada.

    Kohët e vaksinës

    Janar, 2020: Sinovac fillon prodhimin e një vaksine të inaktivuar kundër koronavirusit.

    Korrik 2020: Sinovac fillon një Test të Fazës 3 në Brazil, ndjekur nga të tjerët në Indonezi dhe Turqi. Reuters raporton se qeveria kineze dha aprovimin emergjent për vaksinën Sinovac për përdorim të kufizuar.

    Tetor 2020: Autoritetet në qytetin lindor kinez të Jiaxing njoftojnë se po u japin CoronaVac njerëzve me punë relativisht të rrezikshme, përfshirë punëtorët e mjekësisë, inspektorët e porteve dhe personelin e shërbimit publik.

    19 tetor 2020: Zyrtarët në Brazil thonë se Sinovac është më e sigurta nga pesë vaksinat që po testojnë në provat e Fazës 3.

    Nëntor 2020: Sinovac boton detajet e testeve së tij të Fazës 1/2 në një ditar mjekësor, duke shfaqur një prodhim relativisht modest të antitrupave. Vetëm një test i Fazës 3 do të tregojë nëse kjo është e mjaftueshme për të mbrojtur njerëzit nga Covid-19.

    Dhjetor 2020: Sinovac thotë se pret të prodhojë 300 milion doza në 2021 dhe të rrisë kapacitetin në një prodhim vjetor prej 600 milion doza.

    23 Dhjetor 2020: Studiuesit brazilianë njoftojnë se CoronaVac ka një efikasitet prej mbi 50 përqind.

    24 dhjetor 2020: Zyrtarët turq njoftojnë se vaksina ka një normë efikasiteti prej 91.25 përqind.

    7 janar 2021: Studiuesit në Brazil njoftojnë se CoronaVac ka një efikasitet prej 78 përqind. Asnjë nga vullnetarët e vaksinuar në testet e Fazës 3 nuk zhvilloi raste të rënda ose të moderuara të Covid-19. Por vlerësimi i efikasitetit u bazua në performancën e vaksinës në një nëngrup vullnetarësh.

    11 janar 2021: Indonezia autorizon vaksinën për përdorim emergjent.

    13 janar 2021: Studiuesit në Brazil njoftojnë se CoronaVac ka një efektshmëri të përgjithshme prej pak më shumë se 50 përqind. Turqia autorizon vaksinën për përdorim emergjent.

    6 shkurt 2021: Sinovac njofton se Kina i ka dhënë CoronaVac miratimin e kushtëzuar. / THE NEW YORK TIMES – Bota.al

    https://www.nytimes.com/interactive/2020/health/sinovac-covid-19-vaccine.html

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark