Shumë njerëz mund të jenë vëllezër nën lëkurë. Por futbollistët Granit dhe Taulant Xhaka janë vëllezër prej gjaku, të lindur dhe të rritur në të njëjtën familje. Dhe të dy do të luajnë në Kampionatin Evropian të Francës, Euro 2016.
Ata nuk janë të vetmit vëllezër që do të paraqiten në turneun verorë evropian. Atje do të jenë edhe Romelu dhe Jordan Lukaku me Belgjikën, binjakët Vasili dhe Aleksei Berezutski, dhe Jony e Corry Evans me Iralndën e Veriut.
Por çfarë i ndanë dy vëllezërit Xhaka është se Graniti luan me Zvicrën, përderisa Taulanti paraqitet me Shqipërinë. Dhe fati i ka vënë përballë këto dy skuadra në ndeshjen e parë të grupit A të Kampionatit Evropian, shkruan New York Times.
Prindërit e tyre, Ragip dhe Eli Xhaka, mbase do ta kenë të vështirë të zgjedhin se për cilën kombëtare do të bëjnë tifo këtë fundjavë. Taulanti, 25-vjeçar, është djali më i madh në moshë i familjes me dy vite më shumë se Graniti, i cili është djali më me vetëbesim në jetë dhe fushën e lojës.
Ata të dy janë lindur në Bazel të Zvicrës, ku prindërit e tyre emigruan pas largimit nga Kosova për arsye politike. Në Basel, babai gjeti punë si kopshtar, dhe djemtë e tij filluan të luanin me ekipin lokal të futbollit të vogël, Konkordia, para se të lëvizin deri në FC Basel, skuadër e cila posedon ngjyra të ngjashme me Barcelonën dhe përmban një filozofi të njëjtë me klubin katallan të punës me futbollistët e rinj.
Rrugët e vëllezërve Xhaka filluan të ndryshojnë në vitin 2012, kur Graniti u transferua në klubin gjerman Borussia Monchengladbach. Derisa Graniti ka lëvizur sërish – ka kaluar në Arsenal për një shumë prej 43 milionë eurosh të transferimit dhe një pagë vjetore prej 8 milionësh – vëllai i tij mbetet me Basel.
Taulanti po lufton për të kaluar lëndimet në kohë për të marrë vendin e tij në mbrojtje të Shqipërisë të shtunën. Graniti është i sigurt se do të fillojë ndeshjen si titullar për Zvicrën. Dhe duke pasur parasysh se vëllai i vogël, Graniti, është një futbollist mesfushor, me energji për të shkuar në ato pjesë të fushës ku mendon se ndikon në lojë, është shumë e mundshme që dy Xhakat do të vihen përballë njëri tjetrit.
Graniti është përshkruhet si një futbollist vendimtar, një lider i cili bën gjëra të mëdha për ekipin e tij. Taulanti është një mbrojtës i përkushtuar, një luftëtar i cili përpiqet të mos lëshoj asnjë milimetër.
Zvicra, me mbrojtjen e saj tradicionalisht të fortë, është një forcë në rritje në futboll, aktualisht renditet e 15-ta në botë nga FIFA. Statusi i saj në këtë sport është rritur pasi pranoi rreth 170,000 refugjatë shqiptarë të Kosovës gjatë dy dekadave të fundit. Shqipëria, ndërkohë, renditet e 42 në botë.
Në ndeshjen e të shtunës pasdite, në formacionin shartues të Zvicrës mund të jenë titullar edhe pesë shqiptarë të tjerë përveç Xhakës: Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemailit dhe Admir Mehmedi.
Ata nuk janë anëtarët e vetëm të Zvicrës me origjinë të huaj. Edhe familja e Haris Seferovic, për shembull, emigroi nga Bosnja dhe Hercegovina në Zvicër në vitin 1980. /Insajderi.com