×
Lamb

Nga Jarinje në Leshak: “Edhe këtu ka shtet, veçse një shtet tjetër”

Insajderi
27 March 2021 - 21:00
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Udhëtimi nisë nga ferma e një banori serb nga Jarinja. Ai nuk e ka të qartë se pse një artist nga Beogradi që studion në Gjenevë të Zvicrës, ka ardhur në këtë fshat kufitar, dhe mbi të gjitha pse i duhej një qingj. Por fakti që përfitimi nga shitja e tij ishte në rregull për të, pyetjet “qysh tek pse si” bëhen të parëndësishme. Duke qenë i kufizuar që të komentoj dhe të sqaroj më shumë rreth performancës, edhe unë vendosi ta lë anash “arsyen e udhëtimit” duke u fokusuar në “ndodhitë e udhëtimit”.

Udhëtimi absurd i një artisti serb dhe një qingji nëpër Kosovë

E lash anash “konceptin artistik” dhe u fokusova në konceptin e aktualitetit si diçka që vetëm ndodhë, nuk varet nga asgjë. U fokusova në rutinën e banorëve të këtij fshati. Dhe rutina është aspak befasuese. Si në çdo fshat tjetër kufitar, Jarinja është e mbushur me dyqane me pije dhe ushqime të vendosura skaj rrugës kryesore që të qon në kufi me Serbi. 

Ka plot pika karburantesh, por ato nuk mbajnë emrat e njejtë sikur mbajnë pikat e karburanteve kryesore në Kosovë. Këto pika bashkë me flamujt serb, të vendosur në secilin bander ngjitur me rrugën kryesore,  janë shenjat e parë që të bënë të kuptosh se sje ne një fshat të zakonshëm kufitar në Kosovë. 

Në dalje të Jarinjes – rrugës për Leshak, dy vendbanime serbe në Leposaviq

Kur ndalon në një dyqan për pije, duhet të paguash me denar serb. Denari nuk është valutë zyrtare në Kosovë, dhe Jarinja nuk është një fshat kosovar, edhe pse zyrtarisht mban epitetin e tillë. 

Banorët janë nëpër oborre, pas një kohe me mot të ftoht dhe reshje bore. është një ditë pranvere. Ata janë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe plot kuriozitet e humor për këtë ecje. As ata, nuk fokusohen në kuptimin e arsyes së këtij udhëtimi.

Fshati Jarinje

Por dy djem, njëri prej të cilëve mban në krah një qingj me një go-pro dhe një tjetër që xhiron gati tërë kohës, janë persona të dyshimtë në këtë fshat. Brenda gjysmë ore udhëtimi, dikush lajmëron policinë se “dy persona të dyshimtë po ecin nëpër fshat me një qingj, që duket se është vjedhur”. Një veturë e Policisë së Kosovës me polic serb, na e preu rrugën. 

Na tregojnë arsyen e ndaljes, kërkojnë identifikimin tonë, bëjnë pyetje rreth këtij udhëtimi, por dështojnë ta kuptojnë. Kjo i frustron ata, dhe vendimi i tyre, është një dënim për mos mbajtje të maskës. Ne maskat i kishim, por jo të vendosura, për shkak se ishim dy persona të testuar negativisht nga COVID19 vetëm 24 orë para se të nisemi.

“Duhet të ju dënojmë sepse ligji është ligj”, thotë një nga policët. Me një qasje e cila synonte t’ia bënte me dije “gazetarit nga Prishtina” dhe “artistit nga Beogradi”, se edhe në fshatin kufitar, në Jarinje, respektohet ligji anti-COVID. 

Fotografi e shkrepur gjatë procesit kur Policia na shqipton dënimin për mungesë maske

Por ky synim dështon në momentin kur një nga policët fillon të shkruaj emrin dhe mbiemrin tim. Nuk është e komplikuar; Vullnet Krasniqi. Ata kanë probleme ta shkruajnë edhe numrin identifikues. Me sfida të një nxënësi të klases së parë fillore, megjithatë dënimet me nga 35 euro për secilin nga ne, shqiptohen. 

Dokumenti i shqiptimit të dënimit anti-COVID

Tregimi se “edhe këtu ka shtet kosovar” bie në ujë. Dënimi është shkruar në gjuhën serbe, por të pakuptueshme, vendbanimi është shkruar sipas toponimeve serbe dhe banka që Policia rekomandojn të paguhet dënimi, është bankë jo zyrtare në Kosovë. është e Serbisë. 

Kësisoj shprehja “edhe këtu ka shtet” është më shumë si ironi ndaj mungesës së shtetit të Kosovës në këto vendbanime.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark