×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Nga “nuk paskam dëgjuar”, në “mbështetje të UÇK-së”, a u frikësua VV-ja nga masivizimi i marshit?

    Insajderi
    31 March 2023 - 17:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti para dy ditësh është pyetur për “Marshin për Drejtësi” të thirrur nga iniciativa “Liria ka Emër” që do të mbahet këtë të diele.

    Ai tha se nuk ka dëgjuar për këtë marsh.

    “Po e shoh organizatorin dhe kërkesën dhe po e vlerësoj. Unë me të thënë të drejtën nuk është se e kam dëgjuar këtë iniciative, por si është dita ime këtu, ndonëse duket afër 2 prilli i së dielës, ka ca kohë”, tha Kurti mbrëmë në Klan Kosova.

    Kurti tha se nuk e di nëse do të marrë pjesë në të, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, vetëm një ditë më pas – partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje doli në mbështetje të marshit për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    “Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Drejtësi që do të mbahet këtë të diele me 2 prill prej orës 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftimin e partisë.

    “Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë”, vazhdon shkrimi, transmeton Gazeta Insajderi.

    Pse e bëri Vetëvendosje këtë lëvizje në momentet e fundit?

    Duket se numri i njerëzve që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen për “Marshin për Drejtës”, e ka frikësuar partinë në pushtet.

    Kjo pasi numri i njerëzve duket të jetë i madh, pasi shumë figura publike, jo vetëm nga Kosova, pos që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të solidarizohen me marshin.

    Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, e ka zbrazur gjithë arsenalin e saj politik, dhe jo vetëm për marshin e së dielës.

    Sot, vetë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u ka bërë thirrje përmes një video të gjithë qytetarëve të marrin pjesën në marshin për drejtësi.

    Krasniqi ka thënë se ai së bashku me familjen e tij do të marshojnë në sheshet e Prishtinës, andaj kushdo që ndjehet krenar me UÇK, i ka ftuar të marrin pjesë.

    “Më 2 prill, në orën 14:00, unë bashkë me familjen time do të marshojmë në sheshet e Prishtinës për të kërkuar drejtësi. Ju ftoj secilin prej jush, që të gjithë së bashku, të “Marshojmë për Drejtësi”, duke u ndjerë krenarë me UÇK-në, me të vërtetën dhe me historinë tonë!”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Gazeta Insajderi.

    Marshin e kanë përkrahur edhe partitë tjera në vend.

    “Rexha dhe ata”, Vetëvendosje nuk përmend me emër Thaçin e Veselin

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, nuk gjetën sot vend në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në të u përmend vetë ish-deputeti Rexhep Selimi që deri në momentin e shkuarjes në Hagë ishte pjesë e partisë së Albin Kurtit.

    “Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin”.

    “Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës”, thuhet në njoftimin e VV-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo parti shpreh bindjen se të akuzuarit nga Haga do ta kalojnë faqebardhë këtë sfidë.

    “Ne jemi të bindur se ata do ta tejkalojnë me faqe të bardhë edhe këtë sfidë, duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj nga akuzat e padrejta dhe nga fushatat që synojnë përbaltjen e luftës së shqiptarëve të shtypur”, përfundon shkrimi./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark