×
  • Lajme
  • Lajme

    Një ftesë e refuzuar dhe “10 ditshi i tretë i korrikut”

    Insajderi
    10 July 2017 - 19:16

    Ramush Haradinaj bëri tentimin e radhës si kandidat për kryeministër i një koalicioni që fitoi zgjedhjet por që e ka të pamundur ta formojë Qeverinë pa votat e një partie të dytë shqiptare. Ftesa e tij ndaj koalicionit PAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje u refuzua shpejt.

    Haradinaj nisi javën e dytë të korrikut, të parën me rezultate të certifikuara të zgjedhjeve të 11 qershorit duke i dërguar një ftesë për një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që renditen pas koalicionit PAN që fitoi një shumicë të lehtë në zgjedhjet nacionale.

    “Në cilësinë e të nominuarit të koalicionit fitues, ju ftoj për një takim konsultativ me qëllim të diskutimit të pikëpamjeve rreth ndërtimit të institucioneve të reja në Kosovë”, shkroi Haradinaj në letrën e tij.

    Haradinaj në fakt i dinte pikëpamjet e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjes Vetëvendosje të cilat refuzojnë të hyjnë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, dhe pikërisht për këtë fakt, të dy partitë refuzuan shpejt ftesën e Haradinajt.

    Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Haradinajt për takim pasi kanë thënë njëherë se nuk do të hyjnë në asnjë koalicion me PDK-në.

    Ai tha se ata si koalicion do të presin që PAN të provojë ta formojë Qeverinë.

    Ndërsa kryetari i partisë Vetëvendosjes Visar Ymeri, ka thënë se pranon të diskutojë për mundësitë e bashkëpunimit për qeverisje, vetëm kur ftesa të bëhet nga pozita e kryetarit të AAK-së dhe pasi të dalë nga PAN-i.

    Por Haradinaj nuk e ka ndërmend ta lërë PDK-në. Në një konferencë për media ai tha se largimi nga PDK-ja “do të ishte një hap mbrapa dhe nuk diskutohet më për këtë çështje”.

    Por me PDK-në nuk i ka votat e mjaftueshme për ta bërë Qeverinë. Megjithatë ai insiston se kjo nuk është fare problem, duke folur për deputetë nga LAA dhe Vetëvendosje të cilët sipas tij janë të gatshëm që ta votojnë atë për kryeministër

    Por ai nuk ka përmendur asnjë emër e as nuk ka specifikuar partitë se nga vijnë këta deputet.

    Madje Haradinaj ka thënë se në 10 ditshin e tretë të korrikut, Kosova do të bëhet me Qeveri, veçse është i interesuar qe ditën kur do të konstituohet Kuvendi, në një seancë të jashtëzakonshme të votohet edhe Qeveria.

    “Qeveria i ka votat për numrat. Koncepti qeverisës ekziston. Unë nuk jam i panjohur për temat qeverisëse. Bashkësia Ndërkombëtare është e interesuar mos me pas ngecje në vend. Ata nuk marrin anë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Dukagjinin.

    Por zyrtarisht plani i Haradinajt që të formoj Qeverinë me në krye vetë atë brenda këtij muaji nuk duket lehtë i realizueshëm./Insajderi.com

    Lexoni në Insajderi edhe:

    “EL CHAPO” KOSOVAR QË ARRITI TË PËRFITOJË MBI 1 MILION EURO NGA TENDERËT PUBLIKË (I)

    “EL Chapo” kosovar që arriti të përfitojë mbi 1 milion euro nga tenderët publikë (I)

     

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark