×
  • Sport
  • Sport

    Një kosovar fitoi rreth 5 milionë euro nga imazhet e Pogbas, sipas “L’Equipe”

    Insajderi
    09 December 2016 - 22:43

    Futbollisti i njohur francez, Paul Pogba së bashku më agjentin e tij Mino Raiola kanë përdor një kompani në det të hapur në ishullin Jersey për të fshehur paratë dhe për të ruajtur të drejtat e imazhit të futbollistit për arsye tatimore.

    Rrjedhjet e dokumenteve “Football Leaks” të publikuara në mediumin francez Mediapart, pretendojnë se lojtari më i shtrenjtë në botë dyshohet se është përfshirë në mosmarrëveshje midis agjentit aktual të tij, Mino Raiola dhe ish-agjentëve Oualid Tanazefti dhe shqiptarit Ylli Kullashi, për të fituar kontrollin e imazhit të futbollistit.

    Në vitin 2014, ish-agjenti dhe këshilltari i Pogbas, francezi Tanazefti dhe shqiptari nga Kosova Ylli Kullashi, arritën një marrëveshje me Pogban në nëntor të vitit 2014, e cila i dha dy menaxherëve Tanazefti dhe Kullashi të gjitha të drejtat e imazhit të lojtarit për një periudhë prej 15 vjetësh.

    Siç shkruan Mediapart, e cila bazohet në dokumentet e “Football Leaks”, Tanazefti dhe Kullashi i blenë të drejtat e futbollistit për një shumë që sillej prej 1.8 milionë deri në 5 milionë euro.

    Në atë kohë, të drejtat e imazhit të Pogbas kaluan tek Tanazefti (i cili mori 60% të të drejtave të imazhit) dhe Ylli Kullashi (i cili mori 40% të drejtave të imazhit) përmes një kompanie nga Luksemburgu, raporton Insajderi.

    Megjithatë, kur Raiola u bë përfaqësuesi i lojtarit, ai bëri gjithçka që t’i merrte të drejtat e imazhit të Pogbas, derisa ia arriti ta bënte një gjë të tillë në vitin 2015.

    Raiola zhvendosi paratë nga të drejtat e imazhit të Pogbas në Jersey, një ishull në kanalin anglez, në të cilin ka kompani që fshehin paratë (offshore).

    Pogba, më 16 mars të vitit 2016, nënshkroi një kontratë 10-vjeçare me kompaninë e veshjeve, Adidas, nga e cila do të fitonte 40 milionë euro, thotë mediumi francez Mediapart.

    Por siç raportonte gazeta e njohur franceze L’Equipe, marrëveshja me kompaninë e Adidasit u bë e mundur vetëm pasi Raiola  u pagoi nga pesë milionë euro Tanazeftit dhe Kullashit për të drejtat e imazhit të Pogbas.

    Ylli Kullashi është një menaxher futbollistësh nga Kosova, me banim në Francë. /Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark