×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Një muaj që nga Marrëveshja Kosovë-Serbi, (s)a kanë ecur gjërat?

    Insajderi
    28 March 2023 - 22:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte saktësisht para një muaji kur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit të parë trepalësh në Bruksel rreth marrëveshjes “merre ose lëre” për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si “bartës i lajmeve të mira” njoftoi se “we have a deal”, shkruan Insajderi.

    Liderët, tregoi ai, u pajtuan për të mos i shtuar/hequr gjë tekstit të Plan-Propozimit të BE’së dhe se çështja tani do të shtrohej rreth Shtojcës së Zbatimit të saj.

    Në vija të përgjithshme kjo lexohej për njohje “faktuale” të Kosovës nga Serbia të kundërpeshuar me sigurimin e “një nivelit të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës” që përkthehej në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    Por, se çka, si e kur, kjo do t’i mbetej pjesës së Shtojcës së Zbatimit e cila ishte futur në Nenin 11 si “pjesë integrale” e Marrëveshjes.

    Ky takim ishte ndryshe nga të mëparshmit. Nga deklarimet e rrepta pas takimeve të mëhershme trepalëshe, kësaj here fajësimet e ndërsjella Kurti-Vuçiq qenë “zbutur”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të vetmen pakënaqësi që kishte ishte se marrëveshjes nuk i ishte vendosur firma mbi dokument. Ishte i gatshëm për një gjë të tillë mu atë ditë. Cilësimet e tij ndaj presidentit serb ishin tejet të moderuara.

    Edhe Vuçiq shfaqi një lloj “mirëkuptimi”. Ndonëse s’kishin kaluar as dy muaj që kur e kishte quajtur “llum terrorist”, tashmë gjuha e tij shfaqej e rlaksuar.

    Vuçiq tha se “e dëgjova me kujdes Albin Kurtin” dhe se “kuptova çdo gjë që më tha”. Madje, tha ai, “e kuptova edhe pse Asociacioni është i papranueshëm për të”.

    “Por, këto janë obligime që duhet të përmbushen dhe shpresoj të përmbushen në periudhën në vijim”, tha Aleksandare Vuçiq para gazetarëve atë mbrëmje, shkruan Insajderi.

    Takimi i Ohrit, Shtojca e Zbatimit

    E tërë java para takimit në Ohër qe karakterizuar me pozicionime të rrepta të palëve se në Ohër shkojmë “vetëm me këto qëndrime”.

    Kosova ndonëse kishte pranuar pikat më të pagëlltitshme që ishin Neni 7 dhe 10, pozicionohej në atë se së pari duhet zbatuar (së paku) katër Nenet e para, pjesë këto të cilat interpretohen në spektrin e njohjes “de facto” e vetëm mëpastaj të vazhdohej me Asociacionin.

    Në anën tjetër, Serbia me ngulm kërkonte që Asociacioni në rend të parë, e vetëm mëpastaj të vazhdohet me pikat tjera. Arsyetimi i tyre ishte se nuk mund të ketë marrëveshja të reja pa u dorëzuar ato të vjetrat, përkatësisht Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 e cila kryesohej nga çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Në dritën e kësaj ajo që u pagëzua si “Maratona e Ohrit” përfundoi në “Sprintin e Asociacionit”.

    “Jam i lumtur të njoftoj se kemi marrëveshje”, ishte sërish fjalia hyrëse e Borrellit në konferencën e tij për media të stërmbushur me media nga e mbarë bota.

    “Djalli thonë se flen në detaje, epo nganjëherë djalli fshihet në kalendar”, tha Josep Borrell, derisa theksin e vuri në zbatimin e kohshëm dhe të sekuencuar të të gjitha pikave të marrëveshjeve.

    Por, “më lejoni të futem në specifika se çfarë është pajtuar”, filloi menjëherë Borrell. Kosova, siç lajmëroi ai, brenda takimit ishte pajtuar që “menjëherë” të nis zbatimin e Nenit 7, ku parashihet dhënia dhe sigurimi i një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës.

    “Kur them menjëher them menjëherë”, u kujdes të qartësonte ai, shkruan Insajderi.

    “Për të zbatuar Nenin 7 të marrëveshjes Kosova është pajtuar që menjëherë të nis, dhe kur them menjëherë them menjëherë, negociatat me Dialogun e Fascilituar nga BE në themelimin e aranzhimeve specifike dhe garancioneve për të siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”, tha Josep Borrell, shkruan Insajderi.

    Presidenti serb Vuçiq ai i cili i pari u deklarua për media rreth bisedimeve ishte “tejet i kënaqur” të njoftonte se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte vendosur “si obligim prioritar” në Aneksin e Zbatimit ndonëse vetiu s’kishte nënshkruar asnjë tekst.

    “Formimi i Asociacionit u vendos si obligim prioritar. Më duhet të them se për këtë jam i kënaqur. Ka ende bisedime për t’u bërë rreth personave të pagjetur dhe konferencës së donatorëve. Plani gjithsesi se do të azhurnohet”, ka thënë Aleksandar Vuçiq para gazetarëve.

    Vetëm mëpastaj u lajmërua edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve, ku foli dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarëve të cilët po qëndronin në pritje për më shumë se gjysmë dite.

    Në Ohër erdhëm me qëllime të mira, tha Albin Kurti.

    “Tash kemi arritur një marrëveshje rreth Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes Bazë”, tha ai, duke shtuar se ka edhe disa ankesa sa i përket palës tjetër negociuese.

    Ishte Serbia “ajo që i iku nënshkrimit”, tha disa herë Kryeministri i Kosovës.

    “Serbia – njëjtë sikur takimin e kaluar në Bruksel – iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes, dhe tash edhe Aneksit”, tha ai.

    Por, ai i bëri thirrje BE-së që “të gjejnë mekanizmat për të bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”.

    Por, edhe pa nënshkrim marrëveshja u “bë” ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme. Kështu deklaruan nga ShBA dhe BE, se marrëveshja tashmë edhe në atë nivel.

    Takimi në nivel kryenegociatorësh, javën tjetër

    Një muaj më pas nga Marrëveshja, e 10 ditë pas Aneksit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, njoftoi se Brukseli tashmë do të thërras takim të nivelit të kryenegociatorëve, përkatësisht mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.

    Fokusi në këtë takim do të jetë tek implementimi i obligimeve që palët kanë marrë në takimin e fundit të liderëve në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

    “Kemi pasur Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme, ku përfaqësuesi i lartë Borrell i ka njoftuar ministrat me këtë takim. Pastaj ai ka informuar edhe partnerët e tjerë. Është diskutuar edhe në Këshillin Evropian, ku liderët e BE-së kanë miratuar këtë dhe kanë porositur të dyja palët se tash duhet të vazhdojnë me implementimin e shpejtë, në mirëbesim të obligimeve që kanë marrë mbi vete”, ka thënë Stano.

    Në BE kanë përsëritur edhe të martën se pa marrë parasysh deklaratat që i japin palët në opinionet e tyre të vlefshme, edhe pse nuk është nënshkruar ndonjë marrëveshje apo aneksi, ato gjithsesi konsiderohen si obligime për të dyja palët dhe presin që palët të mos bëjnë veprime për të ikur nga obligimet./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark