×
  • Sport
  • Sport

    Një Olimpiadë si asnjë tjetër

    Insajderi
    23 July 2021 - 10:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lojërat e shtyra Olimpike nisin sot në Tokio me një ceremoni të vogël të hapjes, pasi qyteti vazhdon të luftojë me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

    Ceremonia do të nisë në orën 20:00 sipas kohës lokale dhe nuk pritet të jetë madhështore si në të kaluarën, marrë parasysh gjendjen e pandemisë, e cila ka vrarë mbi katër milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka prekur mbi 192 milionë.

    Organizatorët nuk kanë publikuar detaje në lidhje me shfaqjen, por kanë thënë se rregullat e rrepta të koronavirusit nënkuptojnë që vetëm 950 njerëz do të jenë në Stadiumin Olimpik, i cili ka kapacitet për 68,000 vetë. Sipas organizatorëve, vetëm rreth 15 udhëheqës globalë do të jenë të pranishëm.

    Ata kanë vendosur dy javë më parë që të ndalojnë gati plotësisht pjesëmarrjen e spektatorëve në ngjarjet olimpike, pasi në Tokio është shpallur gjendje e re e jashtëzakonshme, në përgjigje të rasteve në rritje të koronavirusit.

    Të enjten, Tokio ka raportuar 1,979 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e lartë ditore qysh në janar. Rreth 90 njerëz të akredituar për Olimpiadë, përfshirë disa atletë, kanë rezultuar pozitivë po ashtu.

    Atletët janë nën kufizime të rrepta gjithashtu. Ata duhet të mbajnë maskë në fytyrë gjatë gjithë kohës – përveç kur hanë, pinë, stërviten, garojnë ose flenë – dhe të minimizojnë ndërveprimin fizik me të tjerët, si dhe të testohen çdo ditë për koronavirus.

    Lojërat Olimpike Verore 2020, të cilat janë shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, janë përcjellë nga një seri e shkarkimeve të zyrtarëve olimpikë.

    Shkarkimi i fundit ka qenë ai i drejtorit të ceremonisë së hapjes, Kentar Kobayashi, i cili, sipas disa pamjeve nga vitet 1990, që kanë dalë në publik së voni, ka bërë shaka me Holokaustin.

    Shefja e Olimpiadës, Seiko Hashimoto, ka njoftuar të enjten për shkarkimin e tij, duke thënë se videoja ku është shfaqur Kobayashi “përqesh fakte të dhimbshme të historisë”.

    Kobayashi, ish-aktor komik, ka thënë përmes një deklarate se e kupton që “zgjedhja e tij e fjalëve në atë kohë ishte e gabuar” dhe ka shprehur pendesë për veprimin.

    Një pjesë muzikore katërminutëshe, që ka kompozuar ai, është hequr nga ceremonia, por vendimi për të shkarkuar Kobayashin nuk do të ndikojë ndryshe në ceremoni, kanë thënë organizatorët.

    Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, është përpjekur t’i zbusë shqetësimet se Lojërat Olimpike mund të rrisin numrin e rasteve me koronavirus.

    Në një takim me perandorin japonez, Kaiser Naruhito, të enjten, Bach ka premtuar se do të bëhen përpjekje maksimale për të parandaluar rreziqet ndaj popullit të Japonisë.

    “Në rrethana të tilla, administrimi i Lojërave, duke marrë të gjitha masat e mundshme kundër koronavirusit, nuk është një detyrë aspak e lehtë”, është cituar të ketë thënë Naruhito.

    Japonia ka raportuar rreth 853,000 raste me koronavirus dhe rreth 15,100 vdekje që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar.

    Në krahasim me popullsinë, këto shifra janë shumë më të ulëta se në shumë vende të tjera, por programi i imunizimit të Japonisë ka arritur të vaksinojë plotësisht vetëm rreth 23 për qind të popullsisë.

    Lojërat do të përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike./rel.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Insporti
    18 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark