×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Një polic e dy gra vriten në Georgia të ShBA-së

    Insajderi
    01 December 2021 - 15:30

    Një polic dhe dy gra janë qëlluar për vdekje të martën në mbrëmje në Georgia të Shteteve të Bashkuara.

    Një djalë 12-vjeçar gjithashtu u qëllua në fytyrë gjatë sulmit të përgjakshëm në Rex, në jug të Atlanta-s, ndërsa një polic tjetër është lënduar, shkruan Daily Mail.

    Polici i vrarë më vonë u identifikua si Henry Laxson. Ai është polici i tretë i vrarë në detyrë muajin e fundit dhe i teti këtë vit.

    Në sulm mbeti i vrarë edhe i dyshuari. Deri të mërkurën në mëngjes, ai nuk është identifikuar.

    Sipas autoriteteve, policia u njoftua për të shtëna dhe dhunë në familje në Rex. Kur shkuan në vendin e ngjarjes, policët e gjetën djalin e gjakosur, i cili arriti t’ua tregonte policëve një objekt ku ndodhej i armatosuri.

    Përderisa policët po ia jepnin ndihmën e parë fëmijës, i dyshuari qëlloi me armë në drejtim të tyre, duke i detyruar që të largohen në një vend më të sigurt.

    Kur sulmuesi i dyshuar u kthye në objekt, ai u përball me policë të tjerë, të cilët ishin futur në shtëpi nga pjesa e pasme. Në atë moment, i dyshuari arriti të qëllonte dy policë. Laxson u dërgua në spital në gjendje kritike, ndërsa një polic tjetër u qëllua në dorë.

    Policët tjerë iu kundërpërgjigjën sulmuesit me të shtëna dhe e vranë atë. Më pas, ata u futën në shtëpi dhe gjetën dy gra, të cilat dukej se ishin qëlluar për vdekje para se policët të arrinin në vendin e ngjarjes.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark