20:57 - 29 Maj 2022

Majlinda Kelmendit, kampiones së Xhudos iu nda çmimi i heroinës “Shota Galica” nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani duke e cilësuar si krenaria e kombit, duke thënë se do të vazhdojë rrugën e saj duke u angazhuar në sport tash në forma të tjera- nëse jo si xhudiste aktive. Por, a po ndodhë kështu vërtetë?

Nga Komiteti Olimpik i Kosovës Majlinda Kelmendi gjegjësisht Federata e Xhudos nuk po vlerësohet ani pse është federata që i solli më së shumti suksese Kosovës. Kjo vërehet edhe nga pamjet që InDoks i ka siguruar, ku Kelmendi shihet duke e lënë mbledhjen e Asamblesë si shenjë pakënaqësie me çka po ndodhte.

InDoks, ekskluzivisht për herë të parë ka sjell pamjet dhe debatin e ashpër që u bë brenda KOK-ut, në asamblën e Punës të mbajtur me 30 mars. Komiteti Olimpik i Kosovës ka lënë jashtë organeve drejtuese të saj Federatën më të suksesshme të krejt Komitetit- Xhudon. Kjo federatë jo vetëm me Majlinda Klemendin, por edhe me sportistë të saj i ka sjellë dhe vazhdon ti sjellë medalje vendit.

Në struktuën e Bordit Ekzekutvi të Komitetit Olimpik të Kosovës nuk përmendet askund emri i Majlinda Kelmendit. As trajnerit të saj, Driton Kuka, as Agron Kukës.

Nuk është askush nga Federata e Xhudos.

I zhgënjyer me këto veprimet të KOK-ut po deklarohet edhe kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka. Ai foli për InDoks për këto pakënaqësi.

Normalisht në sport duhet me ardhë njerëzit meritor. E di që demokracia përkundër të mirave të veta i ka të këqijat se normal në sport duhet me shku me meritokraci. Në radhë të parë duhet me pas vend njerëzit që janë meritor e jo njerëzit që janë të dyshimtë. Tash unë e di që kanë bë fushatë që normal nuk i përket sportit as sportistëve, e që ne nuk pajtohem, por vota e bën të veten. Tash, me vet faktin që asnjë anëtar i Bordit të Komiteti Olimpik nuk është prej Xhudos ta tregon realitetin. Do të thotë prej Federatës më të suksesshme nuk është asnjë anëtar në Bord”, tha ai për InDoks.

Për trajtimin jo të duhur që po i bëhet Federatës së Xhudos më konkretisht Majlinda Kelmendit, nga një koment dhanë edhe ish-sekretari i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj e kryetari i Federatës së Automobilizmit, Ismet Rexhepi.

“Realisht Federata e Xhudos ka qenë tepër korrekt në asamblenë e punës dhe asgjë ska kërku prej  kërkujt, thjeshtë, konsiderojë që nuk ka mbajtur krahë çka ka kërku Federata e Xhudos ka qenë diçka normale. Ka kërku respektim të ligjshmërisë, ka kërku respektim të statutit, rregullores dhe vendimeve të KOK-ut. Në të kundërtën, normal ka thënë unë nuk jam pjesë, nëse nuk respektohen statuti, rregulloret dhe vendimet e asamblesë. Duke e pasur parasysh këtë e ka lëshu asamblenë edhe Federata e Xhudos ashtu siç e kanë lëshu edhe delegatët e tjerë, në total janë 31 delegatë që e kanë lëshu asamblenë. Federata e Xhudos pa dyshim është federata që i ka sjell më së shumti rezultat Kosovës në historinë e sportit Kosovës. Kemi tri medalje të arta olimpike dhe të trija janë nga Sporti i Xhudos mos të flasim për medaljet botërore, evropian e të gjitha kategoritë e tjera”, tha Haxhijaj për InDoks.

“…Ku mos me përmend unë a nuk është gjynah, gjynah po them që Xhudo, Majlinda mos me kanë në Komitetin Olimpik, Federata e Xhudos e cila i ka obligu disa ushtarë rusë me nejt gatituni me respektu flamurin e Kosovës dhe ata nuk janë, pse nuk janë sepse do persona që janë aty janë kujdes me kohë që ata mos me mujt as në Kuvend as statusin e delegatit me pas”, tha Rexhepi.      

InDoks i ka kërkuar që të intervistojë dikë nga menaxhmenti aktual i KOK, ose të marrë përgjigje për çështjet që janë ngritur në videot që janë transmetuar ekskluzivisht në këtë episod e pretendimet e të intervistuarve, por nga KOK-u është pranuar vetëm një përgjigje që ata i kanë kthyer kohë më parë një personi tjetër. As në atë përgjigje nuk jepet sqarimi se pse në organet drejtuese të KOK-ut nuk është askush nga Federata e Xhudos, e le ma që të ishte vet Majlinda Kelmendi.

InDoks | Komiteti i Akuzave – Si u la jashtë KOK-ut edhe Majlinda