×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Norvegjia kujton 10-vjetorin e vrasjes së 77 njerëzve nga neo-nazisti Anders Breivik

    Insajderi
    22 July 2021 - 15:32

    Kambanat në kishat e Norvegjisë ranë për pesë minuta të enjten për ta shënuar 10-vjetorin e sulmit të tmershëm, në të cilin ekstremisti i së djathtës, Anders Breivik, vrau 77 persona, shumica të rinj.

    Breivik, supremacist i bardhë që dëshironte të sillte revolucion fashist përmes mënyrave të dhunshme, aktivizoi një veturë bombë afër zyrës së kryeministrit të atëhershëm norvegjez në Oslo, duke lënë të vdekur tetë persona, para se të shkonte me veturë në ishullin Utoeya dhe të vriste me armë 60 persona në një kamp për të rinj më 22 korrik 2011.

    Të enjten në mëngjes, Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, mori pjesë në një ceremoni përkujtimi, ku ishin të pranishëm edhe të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave. Aty morën pjesë edhe udhëheqës të ndryshëm politikë si dhe Princi e Princesha e Norvegjisë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

    “Dhemb ta kthesh mendjen prapa në atë ditë të zezë korriku dhjetë vite më parë. Sot, ne vajtojmë së bashku. Sot, ne i përkujtojmë 77 njerëz që kurrë nuk u kthyen më në shtëpi”, tha Solberg.

    Breivik, 42 vjeç, është duke e vuajtur dënimin me 21 vjet burgim. Ky dënim mund t’i zgjatet në masë të pakufizuar nga autoritetet, nëse ai cilësohet kërcënim i vazhdueshëm për shoqërinë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark