Automjeteve me tabela të Bosnjë e Hercegovinës u është lejuar hyrja në Kosovë dhe në këtë drejtim nuk ka reciprocitet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, ka konfirmuar Bashmir Xhemaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj
Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës vjen pas raportimit të disa medieve në Kosovë se automjeteve me tabela të Bosnjë e Hercegovinës u është ndaluar hyrja në Kosovë, si masë e re e reciprocitetit ndaj Bosnjë e Hercegovinës
Mediet kanë raportuar se një numër i automjeteve është kthyer në vendkalimin kufitar në Mendarë.
Xhemaj ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme i informon qytetarët se nuk do të ketë pengesa për lëvizjen e lirë të automjeteve me tabelat e Bosnjë e Hercegovinës.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje për vonesat e djeshme dhe pengesat”, ka thënë Xhemaj për Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës ekziston regjimi i vizave, kështu që qytetarët e të dyja vendeve duhet të pajisen me viza në mënyrë që të udhëtojnë.