×
  • Lajme
  • Insajderi

    Olluri: Ardhja e Policisë së Kosovës në Insajder, ishte derivat i politikës

    Insajderi
    20 April 2021 - 22:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Parim Olluri e ka cilësuar të pazakontë por të pritshëm zbarkimin e hetuesve të Policisë së Kosovës në zyrat e Gazetës Insajderi të shtunën, një ditë pas publikimit të hulumtimit që zbuloi neglizhencën e qeverisë për të finalizuar marrëveshjen për sigurimin e vaksinave nga Pfizer.

    Drejtori i Gazetës Insajderi, i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën mbrëmjen e së martës, ka thënë se ndërhyrja e Policisë së Kosovës në redaksinë e gazetës “ishte derivat i politikës”, i nxitur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Nuk ishte normal, por ishte i pritshëm. Nuk ishte normal për faktin që pushtetarët ndërhyn brutalisht në media për ta ndalur zërin kritik. Ajo që ndodhi të shtunën ishte derivat i politikës. Të gjithë thonë që pushtetet janë të ndara, policia dhe prokuroria”, ka thënë drejtori i Insajderit.

    Sipas Ollurit, hetuesit që ndërhyn në Gazetën Insajderi janë nxitur nga komentet e bëra të premten nga pjesëtarët e qeverisë Kurti.

    “Ardhja në Insajder e hetuesve të Krimeve të Rënda Ekonomike të Policisë së Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore ishte derivat i vlerësimeve që të premten mbrëma i bënë niveli politik, i nisur nga ministri i Qeverisë Kurti, Arben Vitia, i cili duke dashur të mbulojë dështimin e tij, i cyti policët drejt mediumit Insajderi”, ka thënë Olluri.

    Olluri ka thënë se intervistimi i gazetarëve për burimet e informatave të tyre është po ashtu “jo normal” si dhe rast unik, i pari në Kosovën e pas shpalljes së pavarësisë. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark