×
  • Lajme
  • Insajderi

    Osmani emëron një “gjyqtar dembel” në krye të KQZ-së

    Insajderi
    14 June 2021 - 16:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidentja Vjosa Osmani e ka zëvendësuar sot Valdete Dakën me Kreshnik Radoniqin në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Radoniqi, një gjyqtar i Gjykatës së Apelit, është përzgjedhur nga presidentja Osmani për pozitën e shefit të KQZ-së. Ai përshkruhet si gjyqtar me “kredibilitet të lartë profesional” në një njoftim të Zyrës së Presidentit, pavarësisht se emri i tij ishte përfshirë në grupin e gjashtë “gjyqtarëve dembelë” të Apelit.

    Sipas një raportimi të Gazetës Insajderi vitin e kaluar, gjashtë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit kishin arritur të kryenin vetëm dy lëndë në muajin e parë të vitit 2020, ndonëse paga e një gjyqtari të kësaj shkalle kap vlerën e 2 mijë e 200 eurove.

    Radoniqi, bazuar në regjistrin e lëndëve të përfunduara në muajin janar të vitit të kaluar, kishte përfunduar vetëm një rast gjykimi. Pesë të tjerët bashkërisht kishin kryer dy lëndë të tjera.

    Kreshnik Radoniqi është emëruar kryesues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas lirimit nga detyra të Valdete Dakës.

    Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidentit e ka bërë sot të ditur vendimin për emërimin e Radoniqit si shef të KQZ-së.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit”, thuhet në njoftim.

    Presidenca njofton se “kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark