22:44 - 27 Shkurt 2021

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka reaguar ndaj rastit të Kryetarit i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafës, ku ky i fundit pranoi padi nga shteti serb sepse e vendosi flamurin kombëtar të shqiptarëve në Preshevë.

Haradinaj Stublla ka thënë se për Serbinë vetëm shqiptari i vdekur është i mirë. Tutje, Haradinaj ka thënë se veprimi i Serbisë ndaj Ragmi Mustafës  është i paprecedentë dhe i pa pranueshëm, si dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

“Z.Mustafa akuzohet nga shteti i cili i ka ende duart e përlyera nga luftërat e shkaktuara në rajon kundër të gjitha etnive joserbe – “për kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar.””, ka thënë Haradinaj Stublla gjithashtu.

Në vazhdim Haradinaj Stublla tha se lidhur me këtë çështje qysh sonte ka nisur letër drejtuar Ambasadorëve të Quintit në Serbi, vendet aleate të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Organizatat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut etj.

Ragmi Mustafa ka njoftuar se dje ka pranuar ftesën e radhës nga gjykata e Vranjës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020.

Mustafa ka shkruar në Facebook se sikurse herëve të tjera, ai po akuzohet për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”, përcjell Gazeta Express.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministres Haradinaj Stublla:

PËR SERBINË VETËM SHQIPTARI I VDEKUR ËSHTË I MIRË!

Si shtet me të kaluar të pandëshkuar gjenocidale e kriminale, Serbia punon pa rreshtur për ta ndalur secilën frymë shqiptare, secilën shenjë, simbol e trashëgimi me të cilën identifikohet populli shqiptar, si ndër më të hershmit, autokton të këtij rajoni.

Është veprim i paprecedent e i papranueshëm, shkelje flagrante e të drejtave themelore e njerëzore padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës ndaj Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, z.Ragmi Mustafa për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e këtij Këshilli, më 28 nëntor 2020.

Z.Mustafa akuzohet nga shteti i cili i ka ende duart e përlyera nga luftërat e shkaktuara në rajon kundër të gjitha etnive joserbe – “për kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar.”

Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës në vizitën në Preshevë, dhe në vazhdimësi kam kërkuar dënimin e kësaj politike shoviniste e raciste e cila është pengesë e patejkalueshme për ndërtimin e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perendimor. Kosova si shtet i ri, me vlera pro-perëndimore e demokratike vazhdon të kujdeset për mbrojtjen e interesave të bashkëkombasve tanë kudo që jetojnë dhe në këtë drejtim ne do të përdorim të gjithë mekanizmat e mundshëm vendorë e ndërkombëtarë për ta sensibilizuar këtë shkelje flagrante nga shteti i Aleksandër Vuciqit, ish-zëdhënësit të regjimit famkeq të Miloshevicit për të cilin vazhdon doktrina e shekullit të kaluar se “vetëm shqiptari i vdekur është i mirë!”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës do të përshkallëzojë edhe më tutje veprimin diplomatik duke e denoncuar jo vetëm këtë rast, por të gjitha shkeljet ndaj të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, në të gjitha instancat ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, BE-në, OSBE-në, dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Menjëherë sonte kam nisur letra tek Ambasadorët e Quintit në Serbi, vendet aleate të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Organizatat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut etj.

Askush më, kurrë dhe në asnjë vend nuk do të mund ta pengojë, as me gjykata, as me topa e artileri, valvitjen e lirë e krenare të flamurit kombëtar kuq e zi, tash edhe për krah flamurit të Kosovës, si dëshmi për Kosovën tonë të pavarur, të paprekshme në secilën pëllëmbë të saj, e me orientim të pastër Euro-Atlantik.