×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Palmer: Marrëveshja të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë

    Insajderi
    05 March 2021 - 21:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shtetet e Bashkuara nuk do të imponojnë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën, dhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë e pranueshme nga udhëheqja dhe qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, ka thënë Matthew Palmer, emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

    “Është plotësisht normale,” tha Palmer në një intervistë për televizionin N1.

    I pyetur nëse ka një afat për arritjen e një marrëveshje, ai tha se “nuk beson se ka një afat” por që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë atë “një çështje urgjente”.

    “Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë dhe të gjitha sfidat do të jenë më të komplikuara, “shtoi ai.

    Palmer tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe i dërguari i tij Mirosllav Lajçak dhe se ai shpreson që të dy palët të vazhdojnë negociatat së shpejti.

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor gjithashtu komentoi deklaratën e liderit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se dialogu nuk është ndër përparësitë e tij.

    “Kam dëgjuar përparësitë që Kurti vuri në dukje – transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë – këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë,” tha ai.

    Ai shtoi se Kosova do të duhet të merret me politikën e jashtme dhe të bashkëpunojë me fqinjët e saj.

    “Kosova mund të marrë pjesë në këtë dialog në një mënyrë konstruktive duke u marrë me reformat e brendshme. Unë nuk shoh ndonjë kontradiktë midis këtyre përparësive,” tha Palmer.

    Ai vlerësoi se dialogu “nuk fillon nga e para”, se shumë aspekte të marrëveshjes së Brukselit janë zbatuar dhe se kanë ndryshuar jetën e njerëzve për mirë dhe përmendi drejtësinë, lirinë e lëvizjes, energjinë dhe kërkimin e personave të zhdukur si shembuj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark