×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pandemia COVID-19 dyfishoi punën e grave në Kosovë

    Insajderi
    07 March 2021 - 14:02

    Që nga e hëna e tretë e muajit mars të vitit 2020, Blerta Zogiani Gjonbalaj nga Prishtina, është duke punuar nga shtëpia.

    Si pasojë e përhapjes së Coronavirusit, kompania ku ajo punon, mori vendim që të gjithë të largohen nga zyra dhe të punojnë në shtëpitë e tyre.

    Kjo 30-vjeçare, e cila jeton në Prishtinë bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj, ka krijuar një zyrë pune në dhomën e pritjes.

    Ajo tregon se sa e vështirë ka qenë që të përballen me këtë situatë për gati një vit.

    “Në fillim menduam që për shumë shkurt jemi duke dalë [të punojmë nga shtëpia], askush nuk e paramendoi që do të jetë kaq gjatë. Ka pasur shumë situata që i kemi kaluar me shumë stres, ka pasur situata që përnjëmend të ka ardhur të qash sepse nuk e ke ditur më se çfarë të bësh përtej asaj. Na ishte bërë një ngarkesë shumë e madhe, nuk e dinim se çka është të përballesh me COVID-19”, thotë ajo.

    Përveç lodhjes dhe stresit nga izolimi, frika nga infektimi me Coronavirus ishte e pranishme brenda familjes katëranëtarëshe.

    Në muajin korrik të vitit 2020, kur në Kosovë ishte shtuar numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19, nuk shpëtuan pa u infektuar as Blerta dhe burri i saj.

    “Burri e ka punën prej shtëpisë, e ka më pa orar, e ka punën më shumë nga kjo pjesa kreative, është animator edhe ka pasur punë kohë pa kohë, e unë është dashur të jem shumë mbështetëse në këtë rast edhe ta kuptoj tepër shumë, se çdoherë kur ai nuk ka qenë, është dashur të jem ajo tjetra që e merr primatin për të vazhduar për t’u kujdesur për fëmijë e krejt dhe përgjatë asaj të kujdesem edhe për punën time”, thotë ajo.

    Dhuna në familje u rrit gjatë pandemisë

    Shumë gra në Kosovë janë përballur me dhunë në familje, papunësi dhe punë të papaguar.

    Vlora Tuzi Nushi, nga organizata UN Women në Kosovë, thotë se pandemia ka thelluar ndasitë gjinore në Kosovë. Sipas saj, prej fillimit të pandemisë në muajin mars të vitit të kaluar, në Kosovë janë raportuar 650 raste të dhunës në familje, kryesisht në zonat urbane.

    Krahasuar me vitin 2019, ka pasur rritje për 22 për qind.

    Ajo thotë se një krim i tillë është bërë më i padukshëm gjatë pandemisë.

    “Kishim një rritje të shpejtë të raportimit të rasteve të dhunës në familje, sepse tanimë shumica e grave dhe vajzave që ishin të abuzuara edhe më herët, ishin të mbyllura me abuzuesin, pa pasur qasje në mundësitë, apo mjetet e informimit për të kërkuar ndihmë”, thotë ajo.

    Pandemia ka prekur edhe gratë në biznes, ndonëse numri i tyre është shumë i vogël, pasi vetëm 11 për qind e bizneseve në Kosovë janë në pronësi të grave.

    Gjatë vitit pandemik është rritur edhe numri i grave që kanë humbur vendet e tyre të punës.

    “Në vlerësimin e parë ishte 5 për qind, rënia apo humbja e vendeve të punës, përderisa në vlerësimin e dytë pas disa muajsh, ajo u ngrit në 12 për qind dhe me siguri (situata) do të jetë edhe më e rëndë tani në vlerësimin e tretë”, thotë ajo.

    Një prej pasojave tjera që i ka goditur më së shumti gratë është edhe rritja e punës së papaguar.

    Sipas Nushit, ka të ngjarë që ndikimet negative të pandemisë COVID-19 për gratë dhe familjet, sidomos në shëndetin mendor, të zgjasin me vite.

    “Prandaj, ne kemi ofruar edhe psikologë pa pagesë në strehimore, të cilët janë marrë me rehabilitimin e këtyre rasteve në mënyrë që ato ta kalojnë këtë situatë sa më lehtë”, thotë ajo.

    Prej fillimit të pandemisë në muajin mars të vitit 2020, mbi 1 mijë e 600 pacientë në Kosovë e kanë humbur betejën me Coronavirus. /REL/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark