×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Parlamenti Evropian i ndan Çmimin Sakharov liderit opozitar rus Navalny

    Insajderi
    21 October 2021 - 15:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Liderit të burgosur opozitar rus Alexei Navalny i është ndarë Çmimi Sakharov, i dhënë çdo vit nga Parlamenti Evropian (PE) në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit. Nënpresidentja e PE-së, Heidi Hautala, njoftoi se çmimi u nda për Navalny-n në seancën e mbajtur në Strasburg.

    “Ai ka bërë fushatë të vazhdueshme kundër korrupsionit të regjimit të Vladimir Putinit dhe ka ndihmuar në zbulimin e abuzimeve përmes llogarive të tij në mediat sociale dhe fushatave politike. Ai ka mbështetjen e miliona njerëzve në gjithë Rusinë. Ai u helmua dhe u burgos për këtë”, ka thënë presidenti i PE-së David Sassoli në një deklaratë.

    Gjithashtu, Sassoli tha se BE-ja vlerëson “guximin e madh personal” të Navalny-t dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Këtë vit, 12 persona, përfshirë Navalny-n dhe tetë gra afgane, u nominuan për çmimin.

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve pritet të mbahet më 15 dhjetor. Çmimi Sakharov ndahet çdo vit nga PE-ja në emër të fizikanit disident sovjetik Andrei Sakharov, për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark