Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka deklaruar lidhur me gjendjen e pandemisë në vend. Për këtë të fundit, ai po thotë se po rëndohet edhe për shkak të fushatave politike që po zhvillohen në vend.
“Masat mund të kenë pasur efekt, të paktën në zvogëlimin e lëvizjes së njerëzve. Nuk është që e kanë arritur efektin e duhur në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Partitë politike, të cilat e kanë votuar ligjin anti-Covid, të njëjtat po e shkelin atë ligj duke bërë fushatë gjatë pandemisë. Fatkeqësisht, të gjitha partitë, pa përjashtim. Ka filluar VV me dy tubime në Prishtinë, po vazhdojnë edhe partitë e tjera. Dje e pamë Ministrin në detyrë të Shëdnetësisë, Armend Zemaj, në një tubim, me 40 persona që mbante fushatë”, ka deklaruar ai për T7.
Tutje, ai ka përmendur edhe çështjen e vaksinimit, për të cilën thotë se Kosova është vonë drejt zbatimit të një programi efikas për imunizimin e virusit.
“Unë e kom kontaktu kompaninë Phizer, më kanë thënë që Kosova është duke e negociu çështjen e vaksinave, mirëpo nuk ka ende ndonjë marrëveshje. Kompania serioze nuk e konsideron punë të kryer pa e vënë nënshkrimin në letër. Kam kontaktuar sërish javën e kaluar, më është dhënë përgjigja e njëjtë. Po ashtu kam kontaktu edhe me aleancën Covax, që Kosova tenton të marrë rreth 350 mijë vaksina. Kjo aleancë ka thënë se vaksinat pritet të vijnë deri në qershor”, ka thënë tutje Vitia.
Ai, tutje, ka dhënë edhe një rezonim të tërë situatës së shkaktuar nga koronavirusi.
“Kosova, sikurse vendet e tjera, nuk ka qenë e përgatitur me pandemi. Për të fituar kohë, për t’u organizu sa ma mirë sistemi shëndetësor, është dashur të mbyllemi për disa orë në fillim. Mbyllja nuk ka qenë një opsion i duhur, sidomos gjatë muajve të verës, për shklak të dëmtimit të ekonomisë. Është dashur të zgjerohen kapacitetet spitalore. Fatkeqësisht, po vazhdon ende Kosova me kapacitete të njëjta spitalore. Ka pasë shumë probleme, vazhdojnë të kemi probleme të tilla. Kosova tash është vendi i vetëm në rajon, edhe në Evropë që ende nuk ka filluar vaksinimin me vaksina anti-Covid”, shtoi ai.