×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas 16 ditësh me aktakuzë, kryeministri zotohet se do ta shkarkojë Jevtiqin

    Insajderi
    01 April 2017 - 18:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dalibor Jevtiq nuk ka rrugëdalje. Ministrit për Kthim dhe Komunitete do t’i duhet të dorëhiqet para se atë ta shkarkojë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

    Në një mbledhje të organizuar sot për të shënuar një vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit  (MSA) me Bashkimin Evropian, kryeministri Mustafa ka premtuar se do ta shkarkojë Jevtiqin.

    Edhe pse nuk e ka shkarkuar prej 16 ditësh, që kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj ministrit Jevtiq, shefi i qeverisë i bëri thirrje anëtarit të Listës Serbe që të japë dorëheqje para se të shkarkohet nga qeveria.

    “Është një praktikë që e kemi instaluar në qeverisje që çdo ministër i akuzuar duhet të tërhiqet vetë ose ta shkarkojmë. Tani që Lista Serbe është rikthyer në institucione, ne do të bisedojmë për këtë rast. Jo që të bëjmë kompromise por që ta realizojmë qëllimin ashtu siç kemi vepruar me ministrin (Ferid) Agani dhe me zëvendësministrin Gashi që janë tërhequr vetë. Kështu që z. Jevtiq duhet të dorëhiqet vet ose do ta shkarkojë atë”, ka thënë Mustafa.

    Ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq është akuzuar nga Prokuroria nën dyshiminin se kreu veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës së ngritur 16 ditë më parë, në cilësinë e personit zyrtar Jevtiq ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarë do dobie për vete apo personin tjetër dhe njëkohësisht ti shkaktojë dëme ministrisë përkatëse.

    Ministri Jevtiq, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, kishte nxjerr vendimin me të cilin i jepte në shfrytëzim të përhershëm të një automjeti zyrtar një kompanie private serbe në Kosovë, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë”.

    Pas publikimit të raportit të përpiluar nga Transparency International për Kosovën në fillimin e këtij viti, kryeministri deklaronte me krenari se “suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë” është rezultat, që sipas Mustafës tregonte hapat konkrete që kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës.

    “Përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e TI-së është rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive”, deklaroi Mustafa më 25 janar të këtij viti.

    Kryeministri Mustafa, vitin e kaluar e kishte liruar nga detyra ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga prokuroria për aferën “Stenta”.

    Këtë vendim, kryeministri Mustafa e kishte marrë më 20 qershor të vitit 2016.

    Agani ishte liruar nga detyra pasi një ditë më parë ai u gjet në mesin e 64 të akuzuarve ndaj të cilëve prokuroria ngriti aktakuzë për aferën “Stentat’, që lidhet me trajtimin e të sëmurëve në spitalet private brenda dhe jashtë Kosovës gjatë kohës sa Agani ishte ministër i Shëndetësisë në mandatin e kaluar të qeverisë.

    Zyra e kryeministrit së fundmi – në muajin shkurt të këtij viti – ka pezulluar nga detyra edhe Zahir Bajramin, drejtor i Zyrës për Buxhet dhe Financa në kryeministri.

    Bajrami ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar ryshfet për zgjidhjen e një lënde në gjykatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark