19:41 - 25 Qershor 2022

Avokati Arianit Koci ka dhënë indikacione se ka marrë kërcënime, pas një deklarate publike të sotshme në Facebook, ku ka ngritur shqetësimin e tij për rritjen e rasteve të grave që mbulohen me shami si shprehje e përcaktimit të tyre fetar.

“Nuk e di sa po e vëreni, por te ne, në mënyrë rapide mos me thënë shqetësuese, po rritet numri i zonjave dhe zonjushave që kanë filluar me e vendosë mbulesën në kokë. Dhe atë, jo mbulesën çfarë e kanë bartë disa gjyshe tana, por mbulesë tipike që e shprehë përcaktimin fetar”, shkroi Koci më herët.

Pak më vonë, në një postim të ri, Koci foli për kërcënimet, apo siç i quan ai, “talebanët e internetit”.

“Në një anë janë ata që ndërsejnë, e në anën tjetër janë ekzekutorët e tyre – kërcënuesit, talibanët e internetit. Sa më të padijshëm, këta të dytit janë më agresiv.  Në çfarë gjendje është shoqëria e jonë, e kupton prej reagimeve dhe animozitetit që krijon trajtimi i çfarëdo teme me karakter fetar – sado i balansuar që është. Fillojnë fyerjet, sharjet dhe kërcënimet. Cenohet mendimi i lirë”, ka shkruar ai.

Sipas Kocit, për shkak të kërcënimeve që marrin kur komentojnë tema fetare, njerëzit rrinë brenda zonës së komforit dhe nuk përfshihen.

“Që të jetë ironia më e madhe, kam pasur kërcënime e fyerje prej talibanëve të internetit, edhe kur kam shkruar për ndonjë temë që iu ka shkuar për shtati. Prandaj, shumëkush rrin brenda “zonës së konforit”.  Nuk komenton fare për tema fetare.  Sidoqoftë, duhet ta kuptojmë që liria e shprehjes është më e fortë se të gjitha ata që ndërsyejnë dhe kërcënuesit së bashku, duke më përfshirë edhe mua. Prandaj, qetësohuni! Shoqëria jonë ka nevojë për debat. Ka nevojë edhe për mendim tjetër”, ka shkruar ai.