×
Lamb

Pas dy patrullave të Leposaviqit qingji me kamerë e bënë kahre edhe Policinë e Zveçanit dhe Mitrovicës

Insajderi
30 March 2021 - 00:54

Për tre ditë rresht, tri stacione të ndryshme të Policisë, ai në Leposaviq, në Zveçan dhe në Mitrovicën e Jugut, e kanë pasur një “të dyshuar” të njejtë. Një qingj me një GoPro në krahët e një artisti që po ecën nëpër fshatrat e Kosovës, nuk po ka aspak fat. Nuk ka arritur që t’i shpëtojë dyshimeve të tri patrullave të Policisë. 

NDALESA E PARË: POLICIA E LESHAKUT 

Pas disa kilometrave ecje nëpër arat e Jarinjes, ne vendosim që të dalim për pak ecje nëpër magjistrale. Posa dalim në rrugë kryesore, një veturë e Policisë së Kosovës ndalet pas nesh. Ne gjithashtu. Nga vetura dalin dy policë me uniformë të Policisë së Kosovës. Njëri nga ta flet vetëm serbisht, tjetri ngapak edhe shqip. 

“Dikush na ka lajmëruar se ju kanë parë me një qingj, dhe po dyshojnë se e keni vjedhur”, thotë polici që flet vetëm serbisht.

NDALESA E DYTË: POLICIA E LEPOSAVIQIT 

Dita e dytë. është koha ta lëmë Leposaviqin dhe të nisemi drejt fshatrave Soqanicë dhe Llozishtë. Rruga është e gjatë 15 kilometra dhe ne vendosim që këtë ecje ta bëjmë nëpër hekurudhën e papërdorur që kalon skaj brigjeve të Lumit Ibër dhe mes përmes dy fshatrave. Në kilometrin e 5-të, një person i veshur me rroba të ushtrisë, i drejtohet Lukas nga oborri i tij. Distanca mes nesh dhe tij është gati 500 metra. Nuk kuptohemi mirë, por megjithatë ne vazhdojmë tutje, duke ia bërë rrafsh. Nja 2 kilometra më pas, në një vend skaj lumit, vendosim të bëjmë një pushim. 

Nuk kalojnë as 5 minuta dhe nga dy anë të ndryshme shfaqen dy policë. Edhe ata me uniformë të Kosovës por asnjëri nuk di të flas shqip. Kësisoj barra për komunikim i bie Lukës. 

“Dikush na ka thirrur dhe na ka lajmëruar se po dyshojnë se keni vjedhur qingjin”, i thotë një nga Policët, Lukës. Luka ia sqaron edhe ndalesën e një dite më parë nga patrulla e parë në Jarinje, ia tregon dokumentet e dënimeve, ia jep kontaktin e fermerit nga Jarinja për të konfirmuar blerjen e qingjit dhe ia sqaron më në detaje arsyen e këtij udhëtimi. Të gjitha që Luka i thotë konfirmohen, por nuk na lirojnë. 

Lexojeni historinë e ndalesës nga dy patrullat në dy ditët e para:

NDALESA E TRETË: POLICIA E ZVEÇANIT I PËRGJIGJET THIRRJEVE TË DY “PIJANDURAVE”

Dita e tretë e udhëtimit në këmbë me artistin serb Luka që e ka nisur nga një skaj në skajin tjetër, nisë në fshatin Llozishtë për të vazhduar drejt fshatrave Sërboc, Vallaq dhe për të bërë një ndalesë të vogël në Zveçan. Ecja nëpër këto fshatra ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, për nga natyra mbreslënse e arave dhe kodrave skaj lumit (megjithatë ende të ndotur). Edhe banorët janë më të relaksuar sesa ata të Jarinjes e Leshakut e besa edhe më hapur sesa ata të Soqanicës dhe Llozishtës. 

Lexo reportazhet nga udhëtimi nëpër këto 4 fshatra. 

Kur arrijmë në Zveçan, ulemi në një kafehane në hyrje të qytetit. Një aso kafehane ku të gjithë klientetët janëtë dehur. Kësisoj,sjellja e tyre karshi një gazetari kosovar dhe një artisti serb është me dy disponime krejtësisht të kundërta. 

Grupi i parë i të dehurve nga rakia dhe birrat bëjnë një spektakël të vërtetë me qingjin me kamerë, performancën e Lukës, shkrimet e mija nga fshatrat tjera. 

Grupi i dytë i të dehurve është kokëdhimbje për mua. Për Lukën, është një eksperiencë, por mua ende më ngjante në torturë. Ata i flasin Lukës për atë sesi “është rrenë që ai është nga Beogradi” dhe se krejt këto xhirime kinse të qingjit janë në të vërtetë xhirime sekrete dhe të manilupuara për të paraqitur serbët e Zveçanit si barbarë. 

“Ti sje nga Beogradi kurr. As serb nuk je. Je shqiptar. Ke ardhë këtu kishe me një qingj e me një kamerë, kishe artist. Ti je duke xhiru këtu për me i qit serbët këtu kinse të prapambetur ose që kanë bo krime. Ku me dit, kujna ja shet këto pamje ti, ndoshta i qet në CNN”, thotë “pijandura” e parë, i mbushur me paranojë.

Për të mos ta zgatur më shumë, me çmenduritë që flitej nga personat që shfrytëzonin në maksimum mirësinë e Lukës për t’i dëgjuar “traumat” e tyre, si përfundim, në skenë vjen Policia. Ata më shumë se me Lukën, sikurse kolegët e tyre merren me qingjin. Qysh, tek, pse? Njashtu sikurse kolegët e tre nga qytet e tjera, edhe ata përfundojnë procesin e dyshimit dhe vërtetimit të identitetit. 

Situata eskalon edhe për mirë edhe për keq kur kalojmë Zveçanin dhe Urën që ndanë Mitrovicën në atë Veriore dhe Jugore. Teksa pijmë kafe në një kafene në pjesën jugore, dy vetura me mbi 6 policë na rrethojnë tavolinën e kafenesë. 

Edhe ata duan të njejtën gjë: çfarë po bënë qingji me kamerë?

Për dallim nga tre stacionet e tjera të Policisë me shumicë policë të nacionalitet serb që vetëm e veshin uniformën e Kosovës por e respektojnë vetëm shtetin e Serbisë, policët shqiptarë të jugut nuk mjaftohen me verifikimin nga baza, por na dërgojnë në Stacion të Policisë. E gjithë biseda aty është relaksuese dhe krejt beteja e tyre është sesi të dalin nga kjo situatë kaq e sikletshme: shqetësimit mbi veprimtarinë e një qingji me një GoPro. Pasi lirojemi për të katërhen herë si të pafajshëm, tash është koha për ditën e katërt. Cila patrullë e Policisë do të bëhet kahre me qingjin? 

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark