×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pas letrës së gjeneralit, Ministria e Mbrojtjes hap konkurs për kuzhinierë por e mbanë të fshehtë

    Insajderi
    11 October 2024 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Insajderi ka publikuar ekskluzivisht letrën e Komandanti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari i cili i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonicit që të bëjë zgjidhje konkrete sa i përket ushqimit të ushtarëve, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa. Pas kësaj letre, Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për kuzhinierë, por duke e mbajtur të fshehur. Konkursi nuk është shpërndarë askund në kanalet e komunikimit të Ministrisë. Insajderi ju sjell detaje.

    Në letrën ekskluzive që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se Jashari i është drejtuar me datën 7 tetor ministrit me kërkesën, duke i sqaruar se personali në kuzhina i angazhuar nga institucionet tjera ka potencuar se deri me datë 11 tetor do të paraqitet në punë.

    Si rrjedhojë nga kjo datë mbesin pa kuzhinierë, andaj sipas tij ata do të detyrohen t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet.

    Gazeta Insajderi ka hulumtuar tutje, duke parë se Ministria e Mbrojtjes dje, me datën 10 tetor ka hapur konkurs (Linku i konkursit) për disa pozita si: Kuzhinier Grada A, Ndihmës Kuzhinier Grada A0, Shpërndarës ushqimi Grada CS3 dhe Pastrues i neve Grada CS3.

    Në këtë konkurs janë caktuar edhe rajonet ku do të plotësohen këto pozita, e që janë: Gjilan, Istog, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj, Pomozitin, Prizren dhe Prishtinë.

    Ky konkurs është publik në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, mirëpo, shtohet dyshimi pse nuk është shpërndarë askund në kanalet e komunikimit të Ministrisë.

    Konkursi nuk është shpërndarë as nga ministri Ejup Maqedonci, e as nga ndonjë qeveritar.

    Poashtu në këtë konkurs bie në sy afati për aplikim. Sipas udhëzimeve administrative afati për aplikim parashihet të jetë 30 ditë.

    Ndërkohë që në këtë konkurs që ka hapur Ministria, afati i aplikimeve është vetëm 14 ditë.

    “Afati i aplikimit është nga data 10.10.2024 deri më 24.10.2024”, thuhet në dokument.

    Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së ka qenë ndër temat më të diskutuara së fundmi në vend, e para, për cilësinë e dobët e edhe për shkak të skadimit të kontratës për furnizimin me ushqim.

    Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se që nga viti 2015 furnizimi është bërë në mënyrë emergjente dhe në minutën e fundit, çka ka krijuar hapësira për keqpërdorim.

    “Njëra ndër qëllimet kryesore që ka qenë edhe i vendosur në programin e LVV-së, ka qenë që të krijohet sa më shumë vetë qëndrueshmëri në ushtri. Vetëqëndrueshmëria në ushqim është bazike për funksionin dhe për operacionalitetin e FSK-së”.

    “Prandaj përmes këtij koncepti, përveç që do të kursejmë para, do të kemi një siguri në aspektin e furnizimit të njësiteve tona me ushqim, dhe do të kemi një mos-varësi për elementet bazike nga operatorët që nuk do të ishte e keqe në gjendje normale por nuk mund të planifikohet që të bëhet kur kemi operacione dhe luftime…”, deklaroi ai. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    02 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark