×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pas raportimit të Insajderit shkarkohet rektori Beka, merrte afro 30 mijë euro pa shkuar në ligjërata

    Insajderi
    29 September 2022 - 23:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Senati i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka shkarkuar sot me votë të fshehtë dekanin e Fakultetit Juridik të këtij universiteti, Agron Bekën. Ky shkarkim vjen pas raportimit të Gazetës Insajderi se ai në këtë fakultet nuk ka respektuar orarin e punës dhe ligjëratat e parapara. Në dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi ishin dhjetëra ligjërata me asnjë student të pranishëm edhe pse i njëjti ka deklaruar se merr afro 30 mijë euro nga ky Universitet. 

    Senati i Universitetit të Mitrovicës ka shkarkuar sot rektorin Agron Beka, kanë konfirmuar burime të Gazetës Insajderi. Votimi për ta shkarkuar Beken erdhi pas një mbledhje gjashtë orëshe. Arsye e shkarkimit ka qenë numri i madh i ankesave të studentëve për mos prezencën e tij në universitet.

    Insajderi me 7 shtator kishte raportuar se Agron Beka i cili kishte ligjëruar lëndën “Taktika kriminalistike”, në këtë fakultet nuk ka mbajtur dhjetëra ligjërata në semestrin dimëror 2021/2022. Letëra boshe pa asnjë emër të ndonjë studenti janë vërejtur në dokumentet të cilat i kishte siguruar Gazeta Insajderi.

    Për të ishte ankuar edhe Parlamenti Studentor ku i ishin drejtuar Menaxhmentit të Universitetit “Isa Boletini”.  Në ankesën e siguruar nga Gazeta Insajderi thuhej se ka ankesa të shumta nga studentët për mos prezencën e Dekanit të Fakultetit Juridik kështu duke anashkaluar detyrat.

    “Kemi evidentuar ankesa të shumta nga studentët por mosprezencën e Dekanit të Fakultetit Juridik në fakultet, duke anashkaluar detyrat që i takojnë me aktet e brendshme të UIBM. Si rrjedhojë, i njëjti nuk respekton orarin e konsultimeve që ka karakter obligativ. Dekani Fakultetit Juridik paraqitet në punë vetëm kur ka ligjërata”, thuhet në ankesën e Organit më të Lartë të Përfaqësimit Studentor.

    Letra evidence boshe

    Rektori nuk ka mbajtur dhjetëra ligjërata në semestrin dimëror 2021/2022. Letëra boshe pa asnjë emër të ndonjë studenti janë vërejtur në dokumentet të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi përmes qasjës në dokumente zyrtare. Në dy prej listave të evidencës shkruhet se nuk kanë ardhur studentët për të mbajtur orë.

    Detajet e pasurisë milionëshe të Agron Bekës

    Pasuria e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka i cili është edhe biznesmen i njohur është duke u diskutuar në rrjete sociale. Duke bërë krahasim nga të ardhurat që ai merr nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe pasurisë që ka deklaruar në AKK, janë ngritur dyshimet për prejardhjen e gjithë asaj pasurie që kap milionat. Kryesisht këto postime janë bërë nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje por edhe persona të punësuar në institucione të vendit në Facebook, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas një përgjigje të AKK, Beka nuk merr pagë nga KPK por atij i paguhen vetëm shpenzimet e udhëtimit.

    “Mirëpo, i njëjti nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë për angazhimin e tij në funksionin e Anëtarit të KPK-së, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”, thuhet në pëgjigjen e dhënë për Insajderin.

    Agron Beka ka deklaruar pasurinë e tij tek Agjencinë Kundër Korrupsion. Të gjitha ato banesa, shtëpi, parcela e vetura që i janë renditur në një fotografi që ka shkuar viral, janë të deklaruar tek AKK.

    Agron Beka përpos që është anëtar i këshillit është edhe dekan në Universitetin e Mitrovicës që nga viti 2017. Ndërsa si anëtarë i Këshillit është emëruar në vitin 2020 kur me vendin po qeveriste LDK.

    Sipas deklarimit të pasurisë të paluajtshme ai posedon 20 objekte ku përfshin një shtëpi me vlerë 500,000.00 e ndërtuar nga kursimet, gjashtë parcela, pesë banesa, tre lokale dhe dy garazhe.

    Tek pasuria e luajtshëm ai ka të deklaruar gjashtë vetura.

    Po ashtu ai është edhe aksionar në disa kompani.

    Tek deklarimi i pasurisë, Beka nuk i ka deklaruar të hyrat vjetore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Aty ka deklaruar të hyrat nga Universiteti i Mitrovicës që janë mbi 28 mijë dhe nga qeratë e banesave e objekteve që ai posedon./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark