×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pazari 140 mijë € në komunën e varfër të LDK-së: Përfitojnë këshilltari i Kuçit dhe biznesmeni i AAK-së

    Insajderi
    30 October 2020 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një kompani private në pronësi të Lorik Muçajt të afërt me AAK-në dhe të Muhamet Spahiut, këshilltarit të Blerim Kuçit, ka përfituar 140 mijë euro nga Komuna e Vushtrrisë. Çuditërisht kjo kompani është angazhuar nëpërmjet tenderit të negociuar për të bërë “…studimin e ndikimit të pandemisë në ekonominë e Vushtrrisë”, përkundër që kjo komunë nuk ka pasur para të mjaftueshme as për blerjen gjërave esenciale të nevojshme për luftimin e pandemisë.

    Liridona Hyseni

    Kosova është duke rrezikuar të futet në izolimin e dytë, pa pasur plan të rimëkëmbjes ekonomike. Shteti nuk ka lëvizur në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve që parandalojnë kolapsin dhe nuk ka bërë kurrfarë analize për ndikimin e pandemisë në ekonominë e vendit.

    Mirëpo, pushtetarët kanë pasur kohë të bëjnë pazar me kompani të lidhura me politikën duke angazhuar një të tillë kinse për analizimin e efekteve të pandemisë në Komunën e Vushtrrisë, një komunë me buxhet të vogël e të pamjaftueshëm për blerjen e gjërave esenciale për luftimin e pandemisë COVID 19.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se përfitues i këtij pazari 140 mijë eurosh është kompania M-Holding, një kompani në pronësi të Lorik Muçajt të afërt me AAK-në në pushtet dhe në pronësi të Muhamet Spahiut, këshilltar i jashtëm i ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi.

    Muhamet Spahiu është emëruar si këshilltar i ministrit Kuçi në muajin korrik. Dhe sipas të dhënave publike të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Spahiu në kompaninë M Holding ka 50 përqind të aksioneve.

    Derisa në ARBK, Spahiu deklaron se është drejtor ekzekutiv, në deklarimin e pasurisë shkruan se është menaxher financiar në kompaninë M-Holding, nga ku përfiton shumën prej mbi 20 mijë eurosh.

    Kurse aksionari tjetër i kompanisë M-Holding Lorik Muçaj, është biznesmen i afërt me AAK-në.

    Kompania M-Holding është themeluar në nëntor të vitit 2017 dhe merret me aktivitetet e këshillimit për biznes dhe menaxhim, inxhinjerisë dhe këshillimit teknik, zhvillimi i projekteve të ndërtimit etj.

    Kontrata e negociuar e komunës së Vushtrrisë, është nënshkruar në fillim të muajit shtator dhe parashihet të zgjatë deri në fund të muajit dhjetor.

    Lidhur me këtë tender të komunës që drejtohet nga LDK e cila shpërbleu kompaninë M-Holding, nuk është deklaruar askush nga LDK, partia që udhëheqë me qeverinë. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partia që është në koalicion me LDK-në, ndonëse gazeta ka pritur disa javë për përgjigje.

    Insajderi ka kërkuar nga Agjencioni Kundër Korrupsion të dijë nëse këshilltari i ministrit Blerim Kuçi, Muhamet Speahiu ndodhet në konflik interesi pasi që kompania e tij ka fituar nga tenderi publik në të njëjtën kohë që ai mbanë pozitë publike. Por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    Biznesmeni i afërt me AAK-në: Nuk kemi bërë lutje për këtë tender

    Gazeta Insajderi lidhur me këtë tender 140 mijë eurosh ka kontaktuar edhe me Lorik Muçajn.

    Kur është pyetur nëse lidhjet politike kanë ndikuar që M- Holding ta fitoj këtë tender, Muçaj ka deklaruar se për kontratën në fjale, nuk kanë bërë lutje.

    “Kontratën e ka fitua kompania ku unë jam pronar e themelues. Si qytetar i Kosovës kam edhe bindjet e mia politike, e këto s`kanë të bëjnë me kompaninë time, e as kompanitë e mia. Për procesin si kemi ardh te kontrata referojuni, autoritetit kontraktues ose hyni ne faqen e prokurimit”, tha Muçaj.

    I pyetur se sa studime të tilla i ka bërë kjo kompani, Muçaj ka deklaruar se dhjetëra kontrata konsulencës e hulumtime te tregjeve.

    “Në këtë pyetje mund të ju them se M holding sh.p.k. është kompani me historik e veprimtari publike, serioze dhe ka dhjetra kontrata të konsulencës, hulumtimeve të tregjeve dhe menaxhimit të projekteve”. ,

    Sa i përket kritereve që kompania M-Holding i ka plotësuar në tenderin e komunës së Vushtrrisë, Mucaj ka përmendur resurset njerëzore dhe përgatitjen akademike.

    “Kriteret të cilat janë publike, në një thirrje publike, në e-prokurim, ku kompania jonë ka fitua duke i plotësuar të gjitha kriteret, janë publike… për këtë kontrate është dash të ketë resurse njerëzore me përgatitje akademike (Niveli VIII dhe VII, pra Phd dhe Master për pjesët e ekonomisë) si dhe kompetenca e kapacitete logjistike dhe te IT, për përpunim të të dhënave”, tha Muçaj.

    Komuna e Vushtrrisë tregon pse dha tender të negociuar

    Lidhur me tenderin 140 mijë eurosh, që përfitoi këshilltari i ministrit, në komunën e Vushtrrisë thonë se ka qenë i rëndësishëm një vlerësimi i shpejtë i ndikimit të pandemisë për të kuptuar shtrirjen dhe dallimin e ndikimeve të krizës.

    Zyra për informim në një përgjigje për Gazetën Insajderi, për këtë tender kanë shkuar me procedurë të negociuar pasi që sipas tyre ofertat tjera nga operatorët kanë pasur çmime të larta.

    Për me tepër komuna e konsideron se çmimi prej 140 mijë eurosh ka qenë i arsyeshme dhe i favorshëm për komune pasi sipas zyrës për informim ka qene domosdoshmëri e kohës.

    “E kemi negociuar marrëveshjen gjithmonë bazuar në Ligjin për prokurimin publik të Republikës së Kosovës dhe kemi kursyer mjete duke e realizuar kontratën suksesshëm me çmime të arsyeshme për komunën”, thuhet në përgjigjen e komunës.

    Komuna synon që me të gjeturat e këtij studimi, të ndihmoj bizneset dhe qytetarët në përballimin e krizës ekonomike.

    “Ne presim që pas realizimit të këtij projekti e sidomos duke u zbatuar pika ku parashihet  hartimi i 10 (dhjetë) projekt-propozimeve të cilat mund të adresohen në nivel qendror, lokal dhe donatorë të tjerë vendor e ndërkombëtar për përkrahje të komunës, operatorëve ekonomik apo organizatave të komunës së Vushtrrisë të ju ndihmojmë bizneseve dhe qytetarëve që të përballojnë ketë krizë ekonomike që po përballen”, thuhet në përgjigjen e komunës.

    Bazuar në dosjen e tenderit, ofertues tjerë në tender ishin edhe “ISD” LLC me 163 mijë e 450 euro; “Kolegji i Menaxhmentit Internacional Globus” me 163 mijë e 600 euro, dhe kompania e Spahiut e Muçajt “M Holding” SHPK me 148 mijë e 751 euro.

    Është çështje e Muhamet Spahiut dhe bizneseve të tij”

    Lidhur me këtë tender kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi e ka sfiduar me pyetje ministrin e Ekonomisë Blerim Kuçi, gjatë një përballje televizive ku po flitej për tenderin 5 milionësh që ka fituar kompania e Kuçit.

    I pyetur nga Kajtazi, në lidhje me përfitimet e këshilltarit të tij nga kontratat e prokurimit publik, Kuçi ka thënë se “kjo është punë e Muhamet Spahiut”.

    “Muhamet Spahiu, të cilin e keni këshilltar politik të jashtëm. Ky këshilltar i juaj, drejtor i kompanisë private M-Holding me aksionar Lorik Muçajn, familjar i miqve të z. Haradinaj, ka fituar tender 140 mijë euro prej Komunës së Vushtrrisë për të bërë studim se si ka ndikuar pandemia në Komunë”, ka thënë Kajtazi.

    Sipas Kajtazit, ky tender i fituar nga kompania “M-Holding”, në pronësi të Muhamet Spahiut dhe Lorik Muçajt, dëshmon për lidhjet e pushtetit me biznesin privat.

    “Këshilltari i juaj, në këtë kompani është edhe aksionar, edhe drejtor. Kjo dëshmon për lidhjet që ka politika dhe pushteti me biznesin privat të njerëzve që janë rreth jush”, ka thënë tutje Kajtazi.

    Ndërkaq, ministri Kuçi ka deklaruar se biznesi i këshilltarit nuk është çështje e tij.

    “Muhamet Spahiu, është çështje e tij dhe e bizneseve të tij. Nuk vjen kërkush në ministri për pagë të këshilltarit”, është përgjigjur Kuçi.  /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark