×
  • Lajme
  • Lajme

    “Pazari i kerreve” – tregu ku kafshët keqtrajtohen e shiten si “patika”

    Insajderi
    31 July 2017 - 20:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sigurisht keni dëgjuar për pazarin e kerreve rrugës për Fushë Kosovë, për llojlloj gjërat që janë në shitje.

    Mund të mendoni se e keni një ide për gjësendet që ka ky pazar, por pa qenë aty duke kërkuar diçka, vështirë se mund ta keni pamjen e vërtetë.

    Përpos kerreve të dorës së dytë që janë në shitje, aty ka pula, enë kuzhine, kositëse bari, gjëra antike për shtëpi, pajisje për biçikleta, shtiklla, kopaçe, djep bebesh, dhe gjithçka që mund të ju bije ndërmend.

    Ngado që shikon është kaos. Një pazar aspak i  organizuar me shumë zhurmë. Por mbizotëron muzika me çifteli.

    Insajderi ka bërë një vizitë tek ky treg, të dielën e 30 korikut. Temperatura mbi 30 gradë celsius.

    Ky vend të jap ndjenjën se diçka nuk shkon, e kur i bën rrotull një herë vendit, kupton se përpos gjësendeve në shitje, kafshët për shitje janë të keqtrajtuara maksimalisht.

    Në tërë këtë mes kaotik për shitje janë lepujt, qentë, këlysh të marrë nga rruga, të cilët nuk e kanë moshën e duhur për tu ndarë nga nëna, të disponueshme për qytetarët.

    Për shitje ishin pesë qenë të racës Pit bull, të cilët sapo kishin mbushur 31 ditë. Çmimi për meshkuj ishte 90 euro dhe për femra 70, mirëpo mund të bëhej marrëveshje midis shitësit dhe blerësit për çmim më të volitshëm. Kjo është fare e zakonshme në këtë treg.

    Me këtë moshë të këtyre këlyshëve, 31 ditë, këta këlysh do ti mbetnin në dorë secilit qytetarë që do të merrte vendimin për t’i blerë. Këlyshët duhet të ushqehen nga gjiri i nënës së paku 2 muaj, përndryshe më të ri se aq e kanë shumë të vështirë të ja dalin, e ata të rrallët të cilët mbijetojnë, rriten shumë qenë të dobët, shëndetligë.

    Shitësit nuk kanë informacione bazike për kafshët.

    Një përgjigje e zakontë tek shitësit e qenve kur pyetshin për moshën e tyre, ishte “Han e pinë, mos u mërzit për at punë.”

    Kjo përgjigje të bën me dije se edhe vet shitësit janë të vetëdijshëm se këlyshët nuk e kanë moshën e duhur për tu bërë me pronarë, mirëpo prapë vazhdojnë me biznesin e tyre.

    Shumica prej qenve dukeshin se janë të sëmurë, të prekur me sëmundjen parvovirus, një sëmundje ngjitëse dhe potencialisht fatale, shpesh përhapur përmes mbipopullimit dhe kushteve të këqija sanitare në kolibe dhe mjedise të ngjashme.

     

    Qentë e rritur për shitje nuk kishin fare kafaze, hije, apo ujë. Vështirë të besohet se këta qenë mund të blihen nga dikush. Sillen rreth si të çmendur, në një metër katrorë,  aq sa ia mundëson gjatësia e litarit.

    E fare në dalje të pazarit, në mes të mijëra pulave ishte edhe çadra e Burimit, i cili përpos tjerash i shiste edhe dy qenë.

    Burimi nuk deshi të identifikohej dhe për vete kishte ngritur çadrën, për ti shpëtuar rrezeve të dëmshme e të forta të diellit sepse nuk durohej ashtu. Në anën tjetër qentë që i kishte për shitje, paraprakisht i rreziste në diell./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark