
Zgjedhjet lokale e sfiduan pushtetin e vërtetë të PDK-së kur garoi e vetme dhe jo në koalicione të mëdha, meqë fuqia e saj pothuajse u zhduk në nivel komunal.
Pavarësisht rezultateve të dobëta zgjedhore, kjo parti mbeti në pushtet, duke pasur në ‘duar’ pozitat të rëndësishme udhëheqëse në Qeveri.
Leonard Kërquki, gazetari që e ka përcjellë gjatë politikën, thotë që PDK-ja tashmë është në fazën kur do të qëndrojë në pushtet me çdo kusht. Madje edhe nëse duhet të vendoset në bisht të koalicionit.
“PDK sot ekziston për t’i mbajtur zyrtarët e saj në pushtet, ata munden me vazhdu me qenë në pushtet herë si partner i vogël herë i madh. Është absurde për një parti si PDK që është 10 vite në qeveri është e gatshme me qenë në pushtet a e ka kryeministrinë apo vazhdon me qenë në bisht të qeverisë, synim kryesor i saj është pushtetit pavarësisht se kush është në pushtet”, ka thënë Kërquki.
InDoks në këtë episod do të sjell në mendjen e publikut momentet të cilat e përshkruajnë dekadën e parë të PDK-së në pushtet. Me procese gjyqësore të figurave të fuqishme të saj në vend dhe me akuza për krime morbide për liderët e saj jashtë vendit. Me suksese kozmetike e me dështime spektakulare. Nga një parti që dilte e para në një parti që i duhen dhjetar subjekte të tjera në koalicion që të guxojë që të hyjë në garë.