Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka kërkuar sot nga deputetët që të mos e politizojnë rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
“Duhet të përmbahemi nga deklaratat rreth kësaj çështje, nuk do t’i ndihmonim as familjes nëse ne e politizojmë dhe bëjmë anime politike”, ka thënë Pajaziti.
Pajaziti e kishte dhënë këtë deklaratë si përgjigje ndaj deputetëve të Vetëvendosjes.
Por ishte partia e tij, PDK-ja, që kishte reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin e grupit “Drenica II”.
Dy ditë më vonë, PDK-ja doli me qëndrim zyrtar, duke reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit.
“Rasti i fundit tregon një shpërfaqje të re të një qasje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi ishte një tendencë e mohimit të vlerave tona sublime dhe dënimit të figurave të larta edhe në kundërshtim me vetë standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës”, vazhdonte komunikata e PDK-së.
Po ashtu, Vendimi i Gjykatës së Apelit nxiti reagimin e ashpër të disa prej deputetëve të cilët kanë qenë pjesë e UÇK-së.
Por, reagimet e ashpra të disa prej ish-figurave të dalluara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas shpalljes se aktgjykimit për grupin “Drenica II”, të cilët ndër të tjerash verdiktin e gjykatës e vlerësuan si persekutim ndaj të dënuarve, nuk i patën bërë përshtypje ambasadës amerikane.
Ambasada amerikane në Kosovë, kishte kërkuar nga të gjithë që ta respektojnë vendimin e Gjykatës.
“Qytetarët kosovarë, përfshirë edhe politikanët, kanë të drejtë ta shprehin mendimin e tyre për çdo çështje. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, proceset ligjore dhe institucionet duhet të respektohen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se asnjë person nuk është mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara e respektojnë vendimin e sotshëm të gjykatës”, kishte deklaruar për Insajderin zëdhënësja e ambasadës, Michelle Schohn.
Ishte vetë Zenun Pajaziti, i cili në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, kishte paraqitur para deputetëve rezolutë për vlerat e luftës.
“Dënimi i komandantëve të UÇK-së po bëhet kundër çdo standardi të drejtësisë si ndërkombëtare dhe asaj vendore”, kishte thënë Pajaziti para deputetëve.
“Ne nuk guxojmë të lejojmë që për agjenda politike të kemi vendime pa fakte e që sjellin vendime me fakte të fabrikuara”, kishte thënë Pajaziti, duke e marrë kështu rolin e interpretuesit të vendimit të Gjykatës së Apelit.
Megjithatë, pas dy ditë diskutimi, Kuvendi e kishte miratuar rezolutën për vlerat e luftës më 61 vota pro dhe 11 abstenime.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se dënimi i tashëm i z.Lushtaku, për një akuzë të hedhur poshtë nga vetë gjykata më herët, është po aq i pabazuar dhe besojmë se përsëri do të rikonfirmohet pafajësia e z.Lushtaku”, thuhet në njoftimin nga PDK./Insajderi.com