×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    PE miraton rregulloren për lejet e qëndrimit të refugjatëve

    Insajderi
    15 June 2017 - 17:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Parlamenti Evropian (PE) ka votuar rregullat të cilat do të jenë të vlefshme në të gjithë vendet anëtare dhe që përcaktojnë dhënien nga vendet anëtare të lejeve të qëndrimit 5-vjeçare për refugjatët që përmbushin kushtet e nevojshme.

    Në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së që vazhdon punimet në Strazburg u diskutua raporti për gjendjen e refugjatëve nga pikëpamja e vendeve anëtare dhe zhvillimin e politikës së përbashkët për refugjatët në vendet anëtare të BE-së, i përgatitur nga anëtarja sllovene e grupit social demokrat Tanja Fajon.

    Sipas rregullores së re, personat të cilët kanë fituar statusin e refugjatit do të mund të marrin leje qëndrimi për 5 vite në vendet anëtare, dhe në mbarim të këtij afati do të mund të zgjatet edhe 5 vite të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

    Rregullorja e cila ka kaluar në Asamblenë e Përgjithshme bën të detyrueshme pranimin e refugjatëve mes vendeve anëtare dhe zbatimin e të njëjtave mënyra në kryerjen e procedurave. Sipas rregullores së re aplikimet e refugjatëve do të vlerësohen në të njëjtat kushte dhe norma në të gjitha vendet anëtare.

    Kjo zbatueshmëri gjithashtu eliminon edhe ndarjen e personave si refugjatë dhe persona të marrë nën mbrojtje. Duke kundërshtuar kërkesën për rishikimin e statusit të refugjatëve në rast se ndryshojnë kushtet në vendet nga kanë ardhur refugjatët, eurodeputetët kanë miratuar heqjen e vendimit për mbrojtje nëse këto persona zbulohet se kanë kryer më parë krime të rënda.

    Ndër të tjera bëhet e ditur se rregullorja e re do të jetë e vlefshme dhe për fëmijët që mbërrijnë në vendet e BE-së. Në rregulloren ku vihet theksi se fëmijët e refugjatëve do të kenë të drejta të barabarta me të gjithë fëmijët në vendet anëtare, vendoset kushti se këto fëmijë mundësisht të qëndrojnë tek të afërmit, familjet kujdestare apo qendra të veçanta të krijuara për këtë qëllim.

    Raportuesja Tanja Fajon ka theksuar “Leja e qëndrimit 5 vjeçare do të ofrojë integrim të vërtetë për refugjatët” duke shtuar më tej se me rregulloren e re janë pakësuar barrat administrative të të gjithë vendeve anëtare dhe se ka lindur një “dritë shprese për të gjithë personat në nevojë”.

    Rregullorja e pranuar në PE vlerësohet si një pjesë e punimeve të BE-së për reformat në sistemin e përbashkët të pranimit të refugjatëve, që Komisioni Evropian e kishte nisur vitin e kaluar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark