Sonte do të zhvillohet ndeshja e tretë gjysmëfinale e fazës së “Play-Offit”, mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit.
Sonte edhe mund të mësohet skuadra e parë finaliste, me therandasit që janë më afër kalimit për në finale, shkruan Gazeta Express.
Ylli ka fituar dy ndeshjet e para gjysmëfinale dhe i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar finalet e “Play-Offit”.
Në anën tjetër, kampionia në fuqi e Kosovës nuk ka më asgjë për të humbur dhe synon që nga sonte të nisë misionin e vështirë, për përmbysje të serisë.
Ndeshja e sontme do të zhvillohet në palestrën sportive “Shani Nushi” të Gjakovës, me Pejën nikoqire.
Siç dihet, në palestrën “Karagaçi” në Pejë sot dhe nesër do të luhen ndeshjet gjysmëfinale dhe finale në hendboll, andaj “verdhezinjtë” u detyruan të luajnë ndaj Yllit në Gjakovë.