×
  • Lajme
  • Lajme

    Për Murat Jasharin vetëm Haradinaj dhe Kurti nuk janë tradhtarë

    Insajderi
    13 March 2017 - 22:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Personi që tentoi ta vriste Azem Vllasin në mëngjesin e së hënës, Murat Jashari, vëllai i komandantit Ismet Jashari, në shkrimet e tija të publikuara në librin  e tij “Lufta e Pambaruar – Ballë për ballë me komplotistët”, i ka cilësuar të gjithë protagonistët e skenës politike që prej viteve 80-ta deri sot i cilëson si tradhtar që duhej vrarë.

    Por janë dy personalitete që sipas tij, duhet mbetur gjallë dhe duhet dhënë drejtimi i shtetit dhe shqiptarëve.

    Në librin e tij ai shkruan se personalitetet të cilët nuk e kanë tradhtuar vendin e tyre, janë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

    Madje ai mendonte se Haradinaj dhe Kurti duhet të bashkohen për t’i hequr nga Kosova, siç thotë ai “të gjithë tradhtarët”.

    “Ramushit i bie më mirë që të shkojë tek Albini në Vetëvendosje bashkë me ish ushtarët e lirisë dhe të qëndrojë sa më larg personave që kanë pasur lidhje miqësie e biznesi me Arkana e serbë të Millosheviçit, Sheshelit, Nikoliçit e Daçiçit”, shkruan ai.

    E Kurtin e cilësonte si pasardhës të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

    “Albin Kurti dhe Lëvizja legale –LPK, kjo e fundit shumë dinake dhe shumë frikacake, duhet pushtetarëve pa pushtet me ua gërditë jetën dhe mos me u dhënë ajër të Kosovës me thithë! Lëvizja VV duhet t’i përdorë të gjitha format për t’i larguar nga pushteti këta horra, kodosha e dilinxhinjë, frymorë me dy këmbë, me surrat njeriu. Mundësisht edhe nga toka e shenjtë shqiptare duhet larguar!”, shkruante Jashari.

    Jashari u arrestua të mërkurën pasi tentoi të vriste avokatin Azem Vllasin, të cilin tha se kishte në plan ta vriste dhe se këtë e ka bërë si pjesë e një grupi të madh të cilët janë angazhuar të “vrajnë të gjithë tradhëtarët”./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark