21:05 - 21 Janar 2023

67-vjeçarja Saime Domazeti u gjet e vdekur më 27 dhjetor 2022, në fshatin Kuk të Dragashit. Vrasja dyshohet se është kryer nga familjarët që me vite u kujdesën për të.

Por, kush ishte Saime Domazeti?

Saime Domazeti banonte në Kuk të Dragashit me kunatën si dhe me djalin e vëllait e me nusen e tij. Ajo nuk kishte fëmijë dhe vëllai i saj në shtëpinë e të cilit jetonte, kishte vdekur kohë më parë.

Domazeti kishte edhe probleme serioze me shëndetin. Kunata dhe familja e vëllait ishin kujdesur për të me vite të tëra. Fatkeqësisht, e njëjta familje që ishte kujdesur për të me vite, sot dyshohet se e vranë.

Për rrezikun që i kanosej Domazetit, shteti ishte në dijeni 48 ditë para vrasjes së saj.

Më 8 nëntor, Policia ishte informuar se Domazeti i ishte ekspozuar dhunës në familje. Pasi e kishte trajtuar rastin, Policia kishte informuar Prokurorin e Shtetit, i cili nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim parandalues, por rastin e kishte proceduar në procedurë të rregullt.

Shiko edhe:

Policia kishte njoftuar edhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, të cilët nuk kishin paraqitur fare kërkesë për urdhër mbrojtës. Po ashtu, Policia e kishte njoftuar edhe Qendrën për Punë Sociale, të cilët nuk e referuan rastin në Strehimore dhe Domazeti vazhdonte të jetonte me të dyshuarit për dhunë ndaj saj, deri në ditën kur dyshohet se ajo u vra, pikërisht nga ta.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Saime Domazeti u vra në duar të shtetit, i cili me mosveprim ia mohoi asaj të drejtën në jetë.

Përkundër kësaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, thotë të mos i ketë shkuar dikujt në mend se do kryhej një vepër e tillë dhe se të njëjtën askush nuk do të mund ta parandalonte.

Ndryshe vlerësojnë në IKD, pasi sipas tyre kjo është vrasje në duar të shtetit.