×
  • Sport
  • Sport

    Përballja e ekipeve shqiptare në Kupën Evropiane në hendboll

    Insajderi
    13 October 2022 - 16:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fundjava pritet të shndërrohet në festë shqiptare në qytetin e Istogut. Të shtunën dhe të dielën skuadra e hendbollit, Istogu, dhe ajo e Çairit do të luajnë mes vete për një vend në rrethin e tretë të Kupës Evropiane. Çairi është skuadër shqiptare nga Shkupi.

    Në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten, të dy klubet e hendbollisteve kanë shfaqur respekt. Por, suksesin e dëshiron si Istogu, ashtu edhe Çairi.

    Për skuadrën e Istogut është hera e gjashtë rresht që merr pjesë në gara evropiane. Suksesi më i madh është arritur në edicionin 2018/19, kur ekipi i udhëhequr nga trajneri Faruk Shala kishte shkuar deri në 1/8 e finales në garën e nivelit të tretë evropian.

    Trajneri Shala theksoi se nëse gjërat shkojnë siç i kanë planifikuar, ka mundësi që të arrihet rezultat edhe më i madh se ai para tre vjetësh.

    “Prej ndeshjes në ndeshje forma e skuadrës duhet të ngrihet. Ne besojmë se mund të arrijmë një rezultat më të mirë se që kemi arritur deri tash, duke marrë parasysh edhe kualitetin e lojtareve, si dhe ardhjet e reja. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur shumë lëndime, por fatmirësisht hendbollistet e lënduara janë kthyer dhe jemi me përbërjen më të mirë të mundshme”, ka thënë Shala.

    Në pamundësi për t’u organizuar ndeshja kthyese në Maqedoninë e Veriut për shkak të telasheve me palestra, Istogu dhe Çairi janë pajtuar që dy ndeshjet të luhen në qytetin e Istogut.

    Për trajnerin Shala ky është motivim shtesë. Ai pret përkrahje të madhe nga të pranishmit.

    Yllka Shatri, hendbolliste e Istogut, theksoi se ekipi e ka eksperiencën e duhur për të luajtur në këto takime.

    “Ne si ekip e kemi eksperiencën për shkak se paraqitemi për herën e gjashtë në Kupa Evropiane. Emocionet janë të njëjta, si në kampionat, ashtu edhe në Evropë. Ne do të hyjmë në ndeshje vetëm për fitore dhe e çmojmë kundërshtarin, por dihet edhe cilësia e klubit tonë. Secila pozitë është e mbuluar me lojtaret më të mira të mundshme. Besoj se ekipi do ta shfaqë më të mirën”, është shprehur Shatri.

    Në konferencën për shtyp të enjten ishte e pranishme edhe ish-hendbollistja e Çairit, Arlinda Dinarica, e cila pret po ashtu rezultat pozitiv.

    “Shpresojmë të jetë lojë e mirë e fitues të jemi ne”, theksoi Dinarica.

    Trajneri i Çairit, Basri Latifi, tha se pavarësisht që ndeshjet luhen në Istog, nuk e ndiejnë veten mysafir. Ai tha se Istogu dhe Çairi, klubi i vetëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut në hendboll, janë thuajse të barabartë në cilësi. Theksoi se nuk e ka dashur një short të tillë, pra përballjen me një skuadër shqiptare.

    “Liga është pak më kualitative te ne. Kemi 5-6 skuadra të cilat janë konkurrente çdo vit për t’u bërë kampion. Ndoshta kjo është përparësi për ne, sepse te ne është afër fundi i fazës së parë të kampionatit. Kemi luajtur gjashtë ndeshje mjaft cilësore. Jemi në një fazë ku kemi pak më shumë përparësi për të garuar”, ka thënë Latifi.

    Pjesë e Çairit është Leonora Rahmani. Ajo është kapitene e skuadrës dhe vlerësohet si një prej hendbollistëve më të mira. Për dy vjet ka qenë pjesë e skuadrës së Istogut. Ajo thotë se pavarësisht se ka ende shoqëri me vajzat e klubit kundërshtar, kanë qenë profesioniste dhe nuk kanë shkëmbyer detaje rreth stërvitjeve apo taktikave të lojës.

    “Duke qenë ish-lojtare, normalisht se në fillim do të kem emocione për shkak se kthehem në klubin ku kam luajtur për dy vjet. Mirëpo, me ekipin jemi përgatitur për dy javë për këto ndeshje. Do të ndihemi si në shtëpi”, tha Rahmani.

    Në konferencën për shtyp te Çairi ishte edhe hendbollistja Teodora Gulicoska, që po ashtu shpreson në triumfin e skuadrës nga Shkupi.

    Në rundin e dytë të Kupës Evropiane garoi edhe Ferizaj. Pësoi dy humbje të thella në Poloni./Koha/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark