×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit

    Insajderi
    27 February 2024 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Para takimit të përbashkët, Lajçak u takua më herët gjatë 27 shkurtit me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në takimet në Bruksel të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

    Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës. Sipas kryenegociatorit kosovar, Lajçak në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vet ai, sipas të cilave, asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.

    Por, nga BE-ja janë përgjigjur se blloku angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”. Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Një ditë më parë, nga BQK-ja kanë thënë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.

    Lexo edhe...
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    21 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark