Përparim Rama, kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës, tha se në programin e tij për Prishtinën ka ndërtimin e shtatë shkollave të cilat do të ndërtohen brenda mandatit të parë.
“Në programin tonë kemi projekte konkrete në relacion me arsim, shëndetësi, me kulturë dhe infrastrukturë. Te programi i arsimit i kemi shtatë shkolla që janë në plan programin tonë, tri shkollat e para ndërtohen brenda periudhës kohore dy vjeçare dhe katër shkollat e tjera brenda periudhës tjetër dy vjeçare, pra brenda katër viteve i kemi shtatë shkolla të cilat do të i ndërtojmë” tha Rama në Rubikon të Klan Kosovës.
Krahas shkollave, Rama tha se nëse merr mandatin për Prishtinën do ta ndërtojë edhe qendrën mjekësore familjare në lagjen Mati 1.
“Kemi edhe qendrën mjekësore familjare në Mati 1 e cila mungon që do ta ndërtojmë, kemi dhe plan program dhe spitalin e qytetit, i cili ofron shërbim sekondare për arsye se kjo i mungon Prishtinës, e kemi QKUK-n e cila është në nivel të Kosovës dhe e bëjmë ndërlidhjen më këto shërbimet e urgjencës, sepse urgjenca nuk është e ndërlidhur, sepse nuk ka spital.”
Duke folur për spitalin rajonal të Prishtinës, Rama në Rubikon në Klan Kosova, tha se lokacioni i këtij spitali do të vendoset pasi të analizohet se cili është vendi më i përshtatshëm për ndërtimin e këtij spitali.
“Planet kanë qenë që nga viti 2012 që spitali e ka pasur një lokacion në Llukar, mirëpo ajo ka qenë para nëntë vitesh, duhet të analizohet zhvillimi i Prishtinës, sot pas nëntë vitesh dhe ku është pika më e mirë sot për lokacionin e spitalit të qytetit, e kjo bëhet ne periudhën nëntë mujore të analizave të gjithë qytetit dhe e gjejmë pikën. Komuna ka toka në çdo anë vetëm duhet vendosur në mënyrë profesionale, analitike, pra unë nuk mund te them se këtu do te jetë pasi që duhet të analizohet në mënyrë perfekt, profesionale prej ekspertëve se ku duhet te jetë dhe ketë do ta bëjmë dhe këtë e kemi në projekt, e kemi në program dhe do të bëhet”, tha Rama.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, tha se në programin e tij për kryeqytetin nuk ka paraparë ndërtimin e çerdheve të reja, por në vend të kësaj subvencionimin e prindërve me nga 70 euro për t’i dërguar fëmijët në çerdhe private.
“Arsimi i fëmijëve tanë fillon që nga aspekti parashkollor, kemi një mungesë të çerdheve ku dhe prindërit ankohen se nuk ka çerdhe, vetëm tetë i kemi publike dhe tetë te tjera në ndërlidhje me komunitet, mirëpo ne të njëjtën kohë i kemi mbi 100 çerdhe private, pra kemi një numër të madh të çerdheve, nuk kemi mungesë të tyre, problem është mungesa e fondeve të prindërve për ta paguar një çerdhe private pra në mundemi me pagu 50 euro që paguajmë në çerdhe publike, por 120 euro kushton në çerdhe private”.
“Ne në program tonë kemi subvencionimin e prindit me 70 euro ku automatikisht prindi fuqizohet. Tash duhet gjetur diku të njofshëm për me dërgu fëmijën në çerdhe publike, kurse me ne do të ketë fuqinë të zgjedhë për mbi 100 çerdhe”, tha Rama.
Rama tha se çerdhet e menaxhuara nga komuna nuk menaxhohen mirë.
“Çerdhet publike janë të menaxhuar nga komuna, por nuk janë të menaxhuara mirë, standardi fillon këtu dhe shkon duke ra për shkak së është i menaxhuar prej nivelit komunal”.
“Çerdhet private ofrojnë një shërbim shumë me të lartë edhe në aspektin e hapësirave të brendshme edhe të jashtme, por edhe në aspektin e shërbimit të edukimit të fëmijëve tanë, ne po e stimulojmë një treg të tërë ku po krijojmë konkurrencë që kjo ndikon dhe në shërbimet publike për të ngritur nivelin dhe standardin për arsye se prindi tani ka mundësi për të zgjedhur më të mirën për fëmijën e vet dhe shërbimet e çerdheve private dhe atyre publike tash duhet të garojnë për të marrë fëmijën tonë, pra për të ofruar shërbim më të mirë, ne këtë mënyrë ne e stimulojmë biznesin privat që qendra e djathtë duhet pikërisht me u marrë me të, e stimulojmë biznesin privat, krijomë punë më të shumta por edhe e lehtësojmë komunën që të merret me plane të mëdha dhe strategjike”, tha Rama.