Projektligji për Referendum është bërë shkak i përplasjes së parë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të Pavarur të Deputetëve, të cilët u larguan nga VV muaj më parë. Albulena Haxhiu nga VV ka akuzuar ish-kolegët e partisë për vjedhje, pas iniciativës nga GDP për Projektligjin për Referendum, shkruan Insajderi.
Menjëherë ka reaguar deputeti, Faton Topalli duke thumbuar ish-partinë e tij. Ka thënë se projektligjet nuk kanë autorësi as personale dhe as partiake duke kërkuar nga deputetët e VV-së të mos shqetësohen.
“Mos u shqetësoni kot, ligjet nuk kanë autorësi as personale as partiake. Zvicra është njëri prej vendeve e cila më së shumti e përdor referendumin për t’i dhënë mundësi sovranit ta thotë fjalën e fundit. Për shkak që kam jetuar gjatë në këtë vend, sigurisht që ndjehem i ndikuar dhe i frymëzuar nga kjo formë e demokracisë direkt”, kishte shkruar gjatë ditës Topalli.
Por edhe pas këtij publikimi, Topalli ka replikuar me personat që kanë komentuar në statusin e tij. Ai në njërin prej komenteve të tij, ka thënë se të dorëhequrit kanë lënë shumë, aktivitete e programe politike, por që nuk mund ta lënë edhe dijen dhe kokat e tyre.
“Ne VV, lam shumë dokumente, shume aktivitete, programin politik, por nuk mund të ua lemë edhe dijen dhe kokat tona.
Haxhiu gjatë ditës së djeshme kishte akuzuar deputetët e dorëhequr nga VV se e kanë vjedhur Projektligjin për Referendum.
“U njoftova që projektligji që ka proceduar GDP, është projektligji që është drafti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i njëjti pa ndryshuar asgjë. ( natyrisht pa korrektimet që i kemi finalizuar dje në grupin punues të Lëvizjes, e që kanë qenë të nevojshme). GDP ka pasur mundësi t’a dërgoj një draft tjetër. Vjedhja e këtij projektligji është e ulët dhe e dënueshme”, kishte shkruar Haxhiu./Insajderi.com