×
  • Lajme
  • Aktuale

    Përplasje mes LDK-së e VV-së në zyrat e KQZ-së

    Insajderi
    29 November 2020 - 16:58

    Anëtarët e KQZ-së nga radhët e LDK-së dhe Vetëvendosjes janë përplasur verbalisht në konferencën për media në lidhje me zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

    Shkas për këtë ishte procesi i votimit në zgjedhjet e sotme për të parin e kësaj komune në të cilën garë e ngushtë pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së Nexhmi Rudari dhe atij të Vetëvendosjes Shpejtim Bulliqi.

    Sami Kurteshi, anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së është ankuar për parregullsi në procesin e votimit, ku nuk janë lejuar votuesit të votojnë për shkak se të skadimit të letërnjoftimeve.

    “Çështja ka të bëjë për njoftimet e vlefshme. Ka ankesa se votuesit nuk janë lejuar të votojnë për shkak se nuk kanë letërnjoftime të vlefshme, për shkak të vendimit të MPB-së se të gjithë personat në Republikën e Kosovës që nuk kanë letërnjoftime të vlefshme prej datës 1 janar 2020 të mund të votojnë me letërnjoftime të skaduar nga 1 janar 2020. Ne si KQZ i njoftuam që t’i lënë njerëzit që të votojnë, të gjithë votuesit e Republikës së Kosovës të cilëve iu ka skaduar afati më 1 janar 2020”, ka thënë Kurteshi.

    Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se nuk është faji i KQZ-së dhe se kjo çështje është diskutuar edhe më herët. Ajo ka thënë se qytetarëve që iu ka skaduar afati i letërnjoftimit, kanë edhe dokumente tjera me të cilat ata mund të votojnë.

    “KQZ nuk ka marrë vendim, sepse kjo çështje është diskutuar dhe të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut të cilëve iu ka skaduar letërnjoftimet, kanë edhe dokumente tjera. Këtë çështje e kemi diskutuar edhe më herët dhe nuk kemi marrë vendim. Vendimet e KQZ-së nuk merren në ditën e zgjedhjeve lidhur me dokumentet. Vendimet merren para ditës së zgjedhjeve ku ka mundësi të njoftohen dhe nuk mund të krijohen situata konfliktuoze. Kështu që ne nuk jemi në mbledhje, jemi në konferencë të rregullt për medie dhe vendimet merren në mbledhje të KQZ-së… Konferenca përfundon dhe ne vazhdojmë nëse kemi pika të rendit të ditës dhe nëse se e thërrasim mbledhje”, ka thënë Daka.

    E pas kësaj, anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti dhe ai nga radhët e Vetëvendosjes Sami Kurteshi kanë pasur një përplasje verbale lidhur me pjesëmarrjen e Institutit ‘Gani Bobi’ për exit-pol.

    “Jo janë duke mbajtur konferenca për shtyp. Edhe për veturat e Ministrisë së Administratës Publike i keni marrë shënimet dhe e keni keqpërdorë ju Vetëvendosja”, ka thënë Hamiti. Kurteshi: “Edhe për atë ju njoftojmë”. Hamiti: “Nuk keni çka me na njoftuar, po i keni marrë. Edhe exit-pol, po e keqpërdorni institutin “Gani Bobi” ju jeni përgjegjës, ju po e keqpërdorni institutin Gani Bobi. Po e keqpërdorni vendimin e KQZ-së për vetura”. Kurteshi: “Veturat që janë pa kanë qenë vetura për të cilat KQZ nuk i ka njoftuar anëtarët…”. Hamiti: “Anëtari i juaj e ka marrë numrin e veturave, pas kësaj keni vazhduar”. Kurteshi: Ne i kemi informatat dhe do t’i hapim. Rrenat janë të juaja. Unë si anëtar i KQZ-së nuk kam qenë i informuar as për tabelat, as për veturat, në momentin kur është marrë vesh, ne i kemi hap”. Hamiti: S’e keni hap, po pasi i keni marrë shënimet e keni marrë konfirmimin”. Kurteshi: “Informatat do t’i hapim ne”. Hamiti: “Mos keqpërdorni, po rreni për institutin Gani Bobi”. Kurteshi: “Jo, rrenat janë të juaja dhe mos krijoni incidente kur i informojmë mediat. Mediat duhet të informohen për gjithçka, ne duhet të jemi transparent dhe kjo është transparenca”

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark