×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Përurohet libri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare” i profesor Shaban Muratit

    Insajderi
    16 June 2023 - 10:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përpara dhjetra të ftuarve, intelektualë, studiues, shkrimtarë, gazetarë e veprimtarë kombëtarë e shoqërorë, është promovuar në ambientet e Hotel Tirana vepra e re e e studiuesit dhe diplomatit të mirënjohur Shaban Muarti “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”. Kjo vepër, mundësuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta shqiptare.

    Libri është një përmbledhje reflektimesh të shkruara janë gjatë pesë viteve të fundit. Por ato reflektojnë një përvojë të gjatë studimore, analitike, profesionale dhe njerëzore prej disa dekadash.

    Libri përmban sinteza, mikroese, koncentrate analizash, sinopse, fokusime, etj. në të gjithë dinamikën dhe problematikën historike dhe aktuale të shoqërisë shqiptare.

    Autori zbërthen me tematika konkrete dhe me çfaqjet e tyre konkrete tabutë e ngurosura në llojet e mendimit, në konstitucionin shpirtëror dhe psikomental të popullit dhe të të filozofuarit shqiptar, dhe që përbëjnë pengesën më të madhe sot për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare.

    Qëllimi i librit, sipas tij është të thyejë rrjetin e thellë dhe të gjerë të tabuve, që karakterizojnë jetën shqiptare dhe mendimin shoqëror shqiptar. Libri përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta, që prangosin sot mendimin dhe shoqërinë shqiptare.

    Ky promovim vjen në një muaj shumë të rëndësishëm për ne shqiptarët e Çamërisë, në “Qershorin e Çamërisë”, kur ne organizojmë aktivitete të shumta me karakter historik, kulturor dhe përkujtimore për viktimat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, i cili vlerësoi lart figurën e Ambasador Muratit për këshillat e vyera dhe vokacionin kombëtar, duke e cilësuar atë “Kisingerin shqiptar”. Kosova, çështja çame dhe rajoni zënë një vend shumë të rëndësishëm në librin e ri të Shaban Muratit, tha më tej zoti Veliu. I jemi mirënjohës Ambasadorit për mbështetjen e vazhdueshmë që jep për çështjen çame, e cila duhej të ishte udhërrëfyese për diplomacinë shqiptare në bisedimet me Greqinë, apo dhe në institucionet ndërkombëatre. Ambasadori me shqetësim konstaton se shteti shqiptar asnjëherë nuk e ka ngritur çështjen came në ndonjë organizatë ndërkombëatre, madje as në raport me Greqinë nuk e përdori kartëne artë që i dha komisioneri Hahn, i cili kërkoi që në agjendën dypalëshe me Greqinë të përfshihej edhe çështja çame. Fatkeqësisht shteti shqiptar po ndjek axhendën greke lidhur me çështjen çame, atë të harresës. Sot shqiptarët e Çamërisë e kanë të vështirë të kuptojnë se cilin kanë armikun më të madh të çështjes çame, shtetin amë apo shtetin grek. Të dy shtetet kanë të njëjtë heshtjen dhe të ndryshëm qëllimin. E ndërsa rezultati është shitja e interesave kombëtare, tha Zoti Veliu.

    Referantët Zyhdi Dervishi, Çerçiz Loloçi, Arben Iliazi, Elvis Hoxha u ndalën tek vlerat, që ka ky libër për çështjet jo vetëm për çështjet diplomatike, por edhe ato politike e sociologjike.

    “Qëllimi i librit tim është të thyejë shumë tabu, që karakterizojnë jetën shqiptare dhe mendimin shoqëror shqiptar. Ndaj i vura titullin “Antitabu”. Libri përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta, që prangosin sot shoqërinë shqiptare, tha prof. Muarti.

    Tabutë shqiptare janë të shumta dhe ngurosur nga shekulli në shekull, nga dekada në dekadë, dhe kornizat e reja të sistemit demokratik nuk arriti dot në Shqipëri të krijojë lirinë e duhur për thyerjen e tabuve në kuptimin dhe shpjegimin e fenomeneve dhe dinamikës së shoqërisë, në interpretimin e historisë dhe të ngjarjeve e personaliteteve historike, të marrëdhënieve sociale, ekonomike, kulturore, fetare, etj. midis shtresave dhe grupeve, të raporteve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptare me popujt dhe shtetet e tjera në rajon, etj. Tabutë shqiptare kanë të bëjnë me koncepte dhe dogma të ngurosura ideologjikisht dhe historikisht, të cilat janë të vështira të thyhen dhe të neutralizohen, sepse mbështeten nga një mentalitet masiv i palëvizshëm dhe nga një interes okult i atyre që drejtojnë shtetin. Është një detyrë njerëzore, që kërkon formim intelektual dhe guxim intelektual.

    Tabu të krijuara nga historia e dhimbshme e pushtimeve të gjata prej mijëra vjetësh. Tabu të krijuara nga varfëria proverbiale dhe nga prirja e detyruar e mbijetesës në guaskën e mbylljes në vetvete. Tabu të krijuara nga imponimet e mentaliteteve dhe kulturave heterogjene të të gjitha pushtimeve të tokës arbërore në dy mijë vjet. Tabu të krijuara nga niveli i ulët kulturor dhe nga rrethimet gjeografike dhe shpirtërore. Tabu të ngurtësuara nga baza e pashërueshme tribale e shoqërisë dhe e mendjes shqiptare. Tabu të krijuara nga regjimet autokratike dhe udhëheqësit autokratë në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Tabu të injektuara nga shtetet fqinj, që nuk kanë dashur kurrë që Shqipëria të ecë në një hap me botën. Tabu, që nuk i theu dot as sistemi demokratik pas shembjes së komunizmit në Europën Lindore dhe që për fat të keq vegjetojnë dhe janë norma etike dhe jetese në ditët e sotme.

    Prof. Zyhdi Dervishi e cilësoi botimin e prof. Shaban Muratit si një liber me fokus dhe burim rrezatimesh të shumëvlerta.

    “Libri “Antitabu” u drejtohet të gjithë lexuesve, të angazhuar apo të prirur për një ndryshim për të mirë në mendimin shoqëror shqiptar dhe në jetën shqiptare. Është një dialog që autori e zhvillon prej vitesh në rrjetet sociale për të eksploruar psikologjinë dominuese dhe diversitetin e mendimit shoqëror shqiptar, për të kuptuar pengesat e mendimit, të ndjenjave apo instinkteve masive, që na mbajnë ende larg nivelit të duhur të demokracisë dhe të përparimit, tha Prof. Dr. Zyhdi Dervishi në kumtesën e tij.

    Prof. Dervishi shtoi se ky libër të shtyn gjithashtu të hulumtosh sjelljet, lëvizjet dhe prirjet e reja të jetës shoqërore dhe të mendimit shoqëror, si dhe raportin e ri të krijuar midis shqetësimit personal dhe shqetësimit shoqëror e kombëtar. Kur lexova “Antitabu”, më ngeli ndjesia që jo vetëm duhet të reflektojmë për shumëçka na rrethon në këtë vend, por edhe që duhet të hedhim hapa në veprim se si mund të përparojmë ne si shoqëri.

    Njeriu duhet të jetë vetvetja dhe të guxojë të mendojë si individ i pavarur, jashtë ndikimeve negative të mjedisit, ku jeton, vepron dhe qarkullon.

    S’ka asnjë dyshim se të gjitha botimet e publicistit dhe diplomatit të spikatur, Shaban Murati shndërrohen në ngjarje të mëdha kulturore jo vetëm në Shqipëri, po edhe në shumë vise të tjera , tha publicisti Çerçiz Loloçi. Kështu ngjau edhe me librin më të fundit që ka zgjuar interes të madh së pari për tematikën e trajtuar, së dyti për mënyrën e koncentruar të trajtimit të ngjarjeve dhe dukurive shqiptare nga të gjitha fushat dhe sidomos për mënyrë estetike të shkrimit që tërheq lexues sa më të gjerë.

    Ndryshe nga shumë homologë të tij, përfshi shkrimtarë, historianë, psikologë, estetistë, etj Shaban Murati ka një ndjeshmëri të madhe kombëtare dhe është një intelektual i shqetësuar për veprime të kryera nga zyrtarët e lartë të politikës shqiptare; ai ndjek hap pas hapi të gjitha veprimet politike e diplomatike që zhvillohen në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si edhe në vende të tjera ku partitë shqiptarë janë bashkëqeverisëse dhe mban qëndrim kritik për akte që cenojnë interesin tonë kombëtar.

    Një veçanti tjetër e Shaban Muratit është njohja e thellë e dukurive të brendshme dhe të jashtme, të cilat i risjell për të nënvizuar veprime më të mençura diplomatike, politike, historike, etj.

    Në faqet e këtij libri, me tekste të shkurtra në formë sentence, autori është kundër qëndrimit prej frikacaku për mospërmendjen e pushtuesve serbë e grekë dhe mosngritjes ende të memorialeve ndaj genocidit të vendeve fqinje.

    Jashtë vëmendjes së Shaban Muratit, tha zoti Loloçi, nuk mbeten as diplomacia antidiplomatike kur presidenti i Republikës viziton zyrtarisht pretedentin monarkist, madje shkon edhe më tej duke e marrë si këshilltar; megallomania qeveritare për marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë, ndërsa u rri si shpata e Damokleut mes dy vendeve ‘Ligji i Luftës’, teksa të dy shtet janë anëtare të NATO-s!

    Studiuesi i filozofisë, Prof. Elvis Hoxha, tha se edhe në këtë libër ambasador Shaban Murati, me ngulmimin e diplomatit, na kujton se sovraniteti dhe çështja kombëtare duhet të jenë udhërrëfyesit e veprimtarisë diplomatike. Nëse ne ngurojmë në drejtësinë tonë, fqinjët nuk ngurojnë në padrejtësinë e tyre. Ky kujtim e kjo kthjelltësi mund të na mësojë se si të programojmë veprimtarinë tonë institucionale në të gjithë rrafshet. Por ç’kemi parë në diplomacinë tonë? Vetëm zbehje dhe mospërdorim të subjektivitetit politik, mosvlerësim të rrethanës gjeo-politike, fshehje dhe harrim të rezultatit historik. Pavarësisht se ajo është kryer nën drejtimin e përfaqësuesve tanë politikë, ajo është kryer në terrenin diplomatik. Ne e kemi nxjerrë virtytin republikan të kombit jashtë vetes, e kemi reduktuar në kredi të palës tjetër në dialog. Substancën e së drejtës e kemi kthyer në monedhë, dhe monedhën rrethanore të dialogut në substancë të vetes.

    Çfarë mund të përvetësojmë nga librat e Shaban Muratit, si virtyte të profesionit, si kufij të veprimit, si cilësi të opinionit, është grupi i temave në librat e z. Murati, duke na treguar se diplomacia e bërë mirë ka aftësinë ta përkufizojë politikën si raport forcash dhe jo si forcë e një subjekti mbi një objekt.

    Kur diplomati bën punën e tij, ai nxjerr në pah rëndësinë e arkivës, kronikën politike të diplomacisë në një fushë të gjerë, mjeshtërinë e përdorimit empirik të kujtesës së të dhënave shtetërore.

    Libri na dëshmon se kur nuk jemi të qartë në atë se ç’duam, as të shkuarën nuk mund ta përdorim. Një e ardhme pa qëllime të qarta kërkon më së pari të zhdukë dijen e së shkuarës.

    E ardhmja nuk është abstrakte, sepse është e ardhme kombesh dhe shtetesh. Ne nuk po shkojmë drejt një bote të ç’interesuar. Nëse politika është perspektiva shumatore e interesave tanë, diplomacia është shprehje e diferencuar e saj në sferën e jashtme. Nëse politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, diplomacia është shprehje e diferencuar e politikës. Dhe kjo sepse diplomacia është vlerësim i rezultateve historikë dhe politikë.

    Në këtë prizëm, librat e z. Murati na qartësojnë. Nëse i lexojmë ne nuk i harrojmë. Po patëm kujtesë, propozime të tillë do të na bëhen rrallë. Diplomacia ndërlidhet me përtacinë shoqërore. Edhe një herë, përtacia jonë vjen nga fakti se totali na tremb. Në shoqërinë tonë thuhet se diplomati nuk bën politikë, dhe kjo jo ngaqë ata që e propagandojnë këtë nuk e njohin diplomacinë, por ngaqë nuk njohin politikën, përfundoi Prof. Elvis Hoxha.

    Profesor Shaban Murati është një humanist e atdhetar i shquar, një erudit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Diplomat i një kalibri të madh, gazetar, publicist e polemist, iluminist i pashoq. Mendimtar, Dijetar, Filozof, Ideolog, Princ i dijeve dhe një mendje universale. Encikolopedist, mbrojtës i zjarrtë i të Drejtës Kushtetutese Shqiptare, tha gazetari Arben Iliazi.

    Vepra që kemi në dorë është një vepër e veçantë në llojin e vet, gati si një libër kozmogonik, me një seri refleksionesh, ku janë parë me lupën diplomatike, por edhe në rrafshin historik dhe në rrafshin e mendimit filozofik e sociologjik bashkëkohohor, ngjarjet dhe fenomenet në shoqërinë shqiptare në 2-3 vitet fundit.

    Prof. Murati bën një vrojtim vertikal të brendësisë politiko-diplomatike dhe duket sikur thërret para gjyqit të arsyes këdo që nëpërkëmb vlerat kombëtare dhe kushtetuese.

    Në këtë libër ai godet racizmin dhe shpërthimet nacionaliste të fqinjëve, që shpesh sillen si armiq e kundërshtarë dhe vazhdojnë t’i bien fyellit kundër arsyes, duke mohuar të drejtat e shqiptarëve.

    Ambasador Murati çmon si të shenjta parimet humane e kombëtare mbi të cilat duhet mbështetur diplomacia shqiptare në mbrojtje të çështjes çame, si një e drejtë natyrale e historike, e mohuar deri më sot dhe që ka mbetur pezull midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë.

    Duke parë këtë realitet, Ambasadori shtron si domosdoshmëri para diplomacisë dhe qeverive shqiptare hartimin dhe zbatimin sa më parë të një platforme diplomatike të zgjidhjes së çështjes çame, pa të cilën nuk mund të ketë normalizim real të marrëdhënieve midis dy shteteve.

    Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo Platformë, për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Çdo qeveri e Shqipërisë duhet të ketë në programin e saj qeveritar detyrimin kushtetues të zgjidhjes së çështjes çame, shkruan amabasadori.

    Platforma diplomatike që ai propozon kërkon që çështja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. /Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini /

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Show
    13 December 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark