23:40 - 08 Dhjetor 2022

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës, ku më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet lokale në katër komuna, janë në rritje.

Më 6 dhjetor atje ka pasur edhe incidente me armë zjarri, pasi grupe të qytetarëve serbë nuk lejuan Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës të hynte në zyrat e tij.