×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pezullohet tenderi afro 42 mijë euro, dorëzohet ankesë në OSHP se komuna e Shtimes po favorizon kompani kineze

    Insajderi
    23 July 2024 - 14:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ishte paraparë që afro 42 mijë euro të kushtonte tenderi për “rregullimin dhe instalimin e kamerave në qytet dhe fshatra” të Shtimes së Qemajl Aliut, por janë hedhur akuza për manipulim. Një kompani është ankuar në OSHP me pretendimin se komuna i ka formuluar specifikat e tenderit për ta favorizuar një kompani kineze. Pas ankesës komuna ka pezulluar përkohësisht këtë tender.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Shtimes e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje, me 17 qershor kishte njoftuar për kontratë për “Rregullimin dhe instalimin e kamerave në qytet dhe në fshatra”.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 41 mijë e 500 euro.

    Mirëpo, kontrata për “Rregullimin dhe instalimin e kamerave në qytet dhe në fshatra”, është pezulluar me shtatë korrik të këtij viti.

    Autoriteti kontraktues Komuna e Shtimes, Drejtoria për Prokurim Publik ka marr vendim që ta rishqyrtojë kërkesën nga Operatori Ekonomik Matrix IM, si e bazuar.

    “Kemi analizuar kërkesën tuaj për rishqyrtim dhe kemi vendosur që ta korrigjojmë specifikacionin pasi që është ngarkuar gabimisht në sistem specifikacioni i pa korrigjuar”, thuhet në vendimin e komunës.

    Ky vendim ka ardhur si shkak i ankesës së kompanisë ‘OWE Matrix IM shpk’, në Organin Shqyrtues të Prokurimit, e cila pretendon se specifikat në tender janë formuluar për të favorizuar një kompani kineze e quajtur “Tiendy”,

    “Specifikimi i oferuar është kryekput per brendin Tiendy që është favorizim i hapur, specifikim i tillë i paramasës bie ndesh me Nenin 7 të LPP-se, pasi që me kërkesën në fjalë AK nuk është duke i trajtuar të gjithë OE në mënyrë të barabartë dhe është duke e reduktuar apo eleminuar konkurrencën e lirë në mes të Operatoreve Ekonomik.

    Ne si operator ekonomik që operojmë në treg qe disa vite nuk mund të pajtohemi me faktin se specifikat teknike të kërkuara për aktivitet të prokurimit në pjesën e paramasës dhe parallogarisë janë kryesisht të planifikuara vetëm për një prodhues dhe atë te brendit : Tiendy kine ,- KINE me ketë raste AK nuk na ka dhënë fare mundësi që në kompanitë e tjera të cilat operojmë ne treg me produkte tjera ekuvalente fare mos te kemi mundësi te konkurrojmë ne ketë aktivitet tenderues ,pasi qe tek pjesa e kamerave dhe DVR fare nuk lihet opsioni qe te konkurojmë me produkte ekuivalente mirëpo vetëm me specifikat teknike te sakta te prodhuesit Tiendy”, thuhet në ankesën e kompanisë Matrix.

    Në ankesën e paraqitur nga kompania “Matrix IM” sh.p.k., theksohet se kjo praktikë është në kundërshtim të hapur me nenin 7 të LPP-së, duke reduktuar ose eliminuar konkurrencën e lirë mes operatorëve ekonomikë.

    “Me këtë rast konstatojmë qe është bërë shkelja e ligjit te barazisë dhe diskriminimit të operatorëve ekonomik ku kërkojme nga ju qe ta shqyrtoni me shumë kujdes kërkesën tonë dhe ta hapni tregun per gjithë operatoret ekonomik qe ofrojnë shërbime të njëjta që në mënyrë që te mos favorizohet një kompani dhe të diskriminohen shumë kompani tjera.

    Fillimisht kërkesa e vendosur nga ju si AK është në kundërshtim me dispozitat Rr UOPP-se, konkretisht nenet e lartpërmendura më lartë sepse, me kerkësën e vendosur për kamera DVR te një prodhuesi ju e keni kufizuar tregun dhe kjo bie ndesh me piken 2.3 pika b”.

    “Favorizim i hapur i brendit Tienndy gjë që kanë qasje ne autorizim vetëm një kompani të caktuar, specifikimi i tillë i paramasës bie ndesh me Nenin 7 të LPP’së pasi që me kërkesën në fjalë AL nuk është duke i trajtuar të gjtihë OE në mënyrë të barabartë dhe është duke e reduktuar apo eliminuar konkurrencën e lirë mes Operatoreve Ekonomik”, thuhet nndër të tjera në ankesë.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Shtimes, që të marr ndonjë sqarim nga ana e tyre, mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark