×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Plani franko-gjerman nuk kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, thotë juristi serb

    Insajderi
    31 January 2023 - 23:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Plani franko-gjerman nuk shkel dhe nuk kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, ka thënë profesori universitar serb në Fakultetin Juridik të Novi Sadit, Vladimir Medoviç, duke komentuar iniciativën e fundit amerikano-evropiane për kornizën e re të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Insajderi.

    “Ky propozim nuk afekton rendin e brendshëm ligjor të Serbisë”, tha ai në një intevistë për televizionin N1, kur u pyet nga media se në rast të një marrëveshje Kosovë-Serbi në bazë të këtij plani a kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, në të cilën vazhdohet të mirëmbahet iluzioni i kahershëm serb se kinse Kosova “është pjesë integrale” e Serbisë.

    “Serbia ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Brukselit, e cila kishte pasoja më të mëdha ligjore për arsye se policia dhe gjyqësori integroheshin në sistemin ligjor dhe institucional të Kosovës. Tash kemi të bëjmë me çështje që kanë të bëjnë me përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Nëse Gjykata Kushtetuese e Serbisë tashmë ka marrë pozicion në çështjen e Marrëveshjes së Brukselit të 2013’ës – do të thotë, marrëveshjes politike, mendoj se kjo marrëveshje nuk do të duhej të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë. Këtu jemi thjesht në një fazë të mesme, është një marrëveshje mbi parimet bazë, deri te një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme”.

    Megjithatë, profesori serb, për planin franko-gjerman konsideron “ndonëse nuk përmban njohje, është një hap më afër njohjes”.

    “Kjo marrëveshje është hapi i duhur drejt njohjes. Ndalon vetëm pakëz para njohjes. Keni një dispozitë në dispozitat hyrëse që marrëveshja nuk paragjykon çështjet esenciale, përfshirë statusin e Kosovës”, ka thënë ai, raporton Insajderi.

    Në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në OKB, profesori serb tha se kjo s’është faktor solid i përfundimit të konsolidimit të një shteti.

    “Kjo është për Kosovën e rëndësishme në kuptimin e prestigjit politik. Për Kosovën, për stabilitetin e saj, për zhvillimin ekonomik dhe social të saj, është shumë më shumë e rëndësishme që pavarësia e saj të njihet nga ambienti i afërm dhe në Evropë”, tha ai./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark