Sulmuesi kosovar Mërgim Berisha ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga skuadra e Salzburgut në fund të këtij edicioni.
Berisha, i cili ende nuk ka rinovuar kontratën që i skadon vitin e ardhshëm, nuk ka dhënë shumë detaje për të ardhmen e tij. Mirëpo, mediumet austriake kanë insistuar se Berisha në verë do të largohet nga salzburgu pasi ka oferta të shumta nga skuadrat tjera të Evropës.
“Të them të drejtën, nuk i kam kushtuar shumë rëndësi rinovimit të kontratës. Nëse është koha e duhur, do ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë shkurt Berisha kur është pyetur për rinovimin e kontratës me Salzburgun. Sulmuesi 22-vjeçar po shkëlqen këtë edicion te Salzburgu, me 18 gola e 12 asistime në 36 paraqitje në të gjitha garat. Berisha është reprezentuesi i Përfaqësueses U21 të Gjermanisë dhe deri më tani ka shënuar një gol në dhjetë ndeshje.