×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Poezia e Kujtim Shalës botohet në gjuhën rumune

    Insajderi
    24 May 2023 - 21:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Botohet në gjuhën rumune vëllimi poetik “Foresteria” i autorit Kujtim Shala.

    Botuesi i kësaj vepre në gjuhën rumune ka bërë një shënim për këtë vepër të Shalës.

    Shënimi i botuesit:

    Nis sot rrugën drejt vetëdijës së lexuesit të vëmendshëm e të zgjedhur një poezi që duket e çuditshme dhe vështirë për t’u përshkuar, por e cila, me siguri, në intimitet, mund të përjetohet, sidomos në periudhën e ngarkuar që po kalojmë. Shkencëtar i njohur, akademik në një moshë mjaft të re, me një vepër studimore të pasur e të vlerësuar, Kujtim M. Shala është edhe një poet i veçantë i brezit të vet, njëri ndër të paktët që, teksa përpiqet të pushtojë shenja e kuptime të fshehta të ekzistencës, nuk e ka lënë veten të mposhtet nga hermetizmi që paraqitet si origjinalitet.

    Shkruar në një shqipe me rrënjët në dialektin geg, – bartës i një muzikaliteti dhe lakonizmi të veçantë, – poezia e Shalës është e strukturuar më së miri, por jo para se të shpërngulet në letër. Duket se uni lirik shndërrohet me ritmin me të cilin frymëzimi bëhet varg, duke sygjeruar e ndonjëherë mbase duke përcaktuar një hierarki tejet të saktë temash, vargjesh, kuptimesh.

    Ekzistenca, rruzullimi, dashuria, vdekja, lënda, fryma, jeta, aparencat dhe esencat, nata dhe dita, gruaja e dashur dhe hidhërimi i ndarjeve, gjithçkaja dhe asgjëja, prania dhe mungesa, si dhe mjaft të tjera, në praninë e një trysnie të tipit apokaliptik, gjithnjë në kufirin ku bota e tanishme shpërbëhet dhe një botë e re vetëm sa skicohet gjejnë tek Shala një zëdhënës të besueshëm. Një zëdhënës që ka bindjen se Ma e fortë se vdekja (është veç) dashunia dhe që shkruan për të mbështetur të paktën dashurinë ndaj poezisë. / ExLibris/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark