×
  • Lajme
  • Lajme

    Porosia e Ramiz Lladrovcit për Vuçiqin nëse tenton të shkojë përsëri në Banjë

    Insajderi
    09 September 2018 - 15:56

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka porositur presidentin serb, Vuçiq të mendojë kërkim-faljen para se të niset edhe një herë në Drenas.

    Por sipas tij liderët serbë nuk mund ta pranojnë këtë, pasi kanë kryer shumë krime në Kosovë.

    Postimi i plotë nga Lladrovci:

    “Deri në vizitën e ardhme, në Banjë të Skënderajt, presidenti serb, duhet ta mendojë jo vetëm kërkimfaljen por edhe mënyrën e kërkimfaljes.

    Ka disa mënyra, por, si duket diplomacia serbe, nuk e do asnjë lloj kërkimfalje, sillet me mospërfillje ndaj tragjedisë të cilën ata vet e shkaktuan, ndaj nesh, në tokën tonë.
    Ne e dimë se herën tjetër kur do të vije për vizitë Vuçiqi, institucionet tona, do t’ia rikujtojnë këtë, para se të niset në Banjë, Drenicë dhe në Kosovë. Ne kemi besim te institucionet tona.

    Brukseli para se të rekomandonte institucionet tona, do të duhej të merrej me Vuçiqin pse kanë ndodhë barrikadat. Brukseli të shpreh brengë dhe sqarim pse ndodhi e pastaj le të hiqen pengesat. Kërkimfalja ishte pengesë për Vuçiqin.

    Kërkimfalja nga pala serbe, duhet bërë jo vetëm për Drenicën, por ndaj kombit shqiptar, ani pse, në Drenicë kjo kërkimfalje do të jetë më e rënda për neve dhe më e vështira.

    Ashtu si Willi Brandt, një burrështetas shembullor, la trashëgimi një porosi në Poloni, jo vetëm për rininë gjermane por të gjithë burrështetasit tjerë, duhet të jetë mostër edhe për Vuçiqin e politikanët serbë.

    Kërkimfalja u bë normë elementare pas luftërave të rënda dhe shkatërrimtare. Kjo nuk po ndodh me politikanët serbë.

    Serbia dhe lidershipi i këtij vendi fqinj, duhet ta dijë se duhet të gjejnë mënyrën e përshtatshme për kërkimfalje, në pajtim me tmerrin dhe gjenocidin e bërë ndaj nesh, në të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi.

    Ndryshe, nëse këtë nuk e bën lidershipi serb, del të jetë i njëjtë me ata që shkaktuan vrasje masive, dhunime, shkatërrime prone, shkatërrim të trashëgimisë kulturore e historike në Kosovë, nga njësitë militare e paramilitare serbe, me bekimin e atëhershëm të kriminelëve institucional dhe miratim të heshtur për po ato vepra makabre edhe nga lidershipi aktual.”

     

     

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark