×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Prandaj do të bie ose Qeveria ose Zajednica ose të dyja”, a e paralajmëroi Kurti fundin e tij?

    Insajderi
    28 February 2023 - 12:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Kundër nënshtrimit qeveritar ndaj Serbisë” – ishte titulli i letrës së kryeministrit Albin Kurtit të shkruar në vitin 2015, gjatë qëndrimit të tij në burgun e Dyzit, shkruan Insajderi.

    Në letrën e tij, Kurti kishte shkruar se në vend nuk mund të rrinë Republika e Kosovës dhe ‘Zajednica’ e Serbisë, duke kundërshtuar kështu formimin e kësaj të fundit.

    Kjo letër, e publikuar në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ose duhet të bie qeveria ose Zajednica ose të dyja.

    “Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën”, thuhet në letrën e Kurtit.

    Prapa grilave të burgut, Kurti kishte thënë se kësi nënshtrimi ndaj Serbisë, që po e bënin Mustafa e Thaçi nuk e kishte bërë askush më parë në Kosovë, shkruan Insajderi.

    “Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit”, thoshte letra.

    Në vazhdimin e kësaj letre Kurti kishte kritikuar ministrat e zëvendësministrat e Kosovës atëkohë që nuk po e kundërshtonin formimin e Zajdenicës.

    “Asnjë ministër a zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës nuk doli kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë! Pra, në Beograd politikanët serbë janë unikë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në Prishtinë, ne politikanët shqiptarë jemi të ndarë rreth Serbisë dhe apetiteve të saj! Skena politike në Kosovë nuk është e ndarë si opozitë-pozitë për pushtet në Kosovë, por është ndarë për e kundër ‘Zajednicës’ nga shteti i Serbisë. Pyka në politikën kosovare është serbe”, kishte shkruara Kurti.

    Ndryshe prej kësaj letre mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bisedimet për planin evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

    Megjithatë, në këtë takim nuk u hodh asnjë nënshkrim, por i pari i qeverisë ishte i gatshëm për të nënshkruar planin franko-gjerman, ku përfshihej edhe Asociacionin./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark