×
  • Lajme
  • Sport
  • Insajderi

    Prapaskenat e rastit kur Agim Ademi gati dha dorëheqje, kush e shpëtoi atë?

    Insajderi
    27 March 2022 - 20:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka zbuluar prapaskenat se si Agim Ademi ishte gati të jepte dorëheqje, pas problemeve me drejtësinë.

    Salihu i ftuar në InDoks të Gazetës Insajderi, ka konfirmuar se pas vendimit të gjykatës, Ademi kishte vendosur të jap dorëheqje për të ruajtur imazhin e FFK-së. Por vetëm një ditë pas kur edhe do ta nënshkruante dorëheqjen, Ademi pranon vendimin e Supremes, ku rasti i tij kthehet në rigjykim.

    Për vendimin e ri informohet edhe UEFA e FIFA.

    “Tash ky vendim për të cilin ju aludoni, është ardhë në Federatë të premten në ora 17:00, janë imellet zyrtare dhe e kanë qu me qëllim UEFA sepse edhe UEFA e ka luajt një lojë të dyfishtë. Në ora 17:00 dhe në fakt ne asistenti im më ka thënë ka ardhë një letër sepse unë jam edhe anëtar i komuniteti ligjor të UEFA-s nuk mundesh me fsheh më shumë. Atëherë Agimit i tregojnë dhe i thotë okej të hënën po e thirri komunitetin dhe të martën po jap dorëheqje, pra nuk duhet me ia ngjitë njeriut diçka që nuk e ka. Agimi ka pasur me dhënë dorëheqje të martën, mblidhet komuniteti meniherë të hënën dhe thotë nesër po jap dorëheqje, në të njëjtën ditë del vendimi i Gjykatës Supreme, me të cilin i kthehet në shkallë të parë, lajmërohet UEFA dhe UEFA e qon vendimin tjetër me të cilin pezullohet vendimi i mëparshëm. Pra, Agim Ademi ka qenë i dënuar të shtunën, dielën të hënën, juridikisht i bie kështu nuk u fsheh sepse e ka ditë gjithë opinioni që dënimi u ardhë”, ka shpjeguar Salihu për InDoks.

    “Agim Ademi nuk ka dashtë me qitë për arsye se e ka qitë vendimin tjetër që është pezullu vendimi. Kjo është e vërteta që shpesh qohet pluhur”, është shprehur ai.

    Salihu ka folur edhe për vet Kuvendin e 6 prillit 2022 ku Agim Ademi do të mbetet kandidati i vetëm për Kreun e FFK-së. Për opinionin ligjor që dha Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe për vet dyshimet: a është i ligjshëm krejt ky proces?

    “Mandati  i kryetarit është 4 vjeçar dhe është dashtë që në korrik kryhet. Nuk e kam kuptu kurrë deri vonë për çka kjo nguti e jashtëzakonshme sepse këto janë zgjedhjet vetëm për kryetar dhe jo anëtarë të komunitetit, prandaj mos te zgjati konsiderojë që ky Kuvend është i jashtëligjshëm këtë e konfirmoi për fat të mirë edhe Departamenti ligjor i ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport por edhe të gjithë njohësit e çështjeve juridike se nuk do shumë filozofi është neni 39 i cili në përpikëmëri cakton se cilat janë kushtet për thirrjen e zgjedhjeve për kryetarit jo për anëtarë të komuniteti”, ka sqaruar ai.

    Ndërkohë ai thotë që Gramoz Vokrri nuk do të duhej të kandidonte për këtë kuvend jo të ligjshëm.  

    “Prandaj nuk më ka çuditë që Gramozi nuk ju ka pranu kandidatura duke pasur parasysh që edhe afatet që janë të lidhura me thirrjen e këtij kuvendi janë shkelur në të gjitha anët. Pra, kandidatët është dashur të kenë kohë 2 muaj kohë sepse dihet se Kuvendi është në korrik, pastaj është dashur ti paraqesin programet e tyre, të shkojnë nëpër kuvende, të mos kenë presion ndërsa këtu ka ndodhur që de facto po ju tregojë për fat të keq që momentin kur kryetari i FFK-së i ka mbledhur nënshkrimet nëpër regjion në mënyrën e vet atëherë e ka shpallë ad hoc Kuvendin, pra, është kryekëput një proces i jashtëligjshëm dhe Gramozi ka rënë viktimë e tij, unë edhe them se Gramozi edhe po ti kishte nënshkrimet nuk është dashur të paraqitet në Kuvend”, ka thënë Salihu për InDoks.

    Në anën tjetër, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka vlerësuar se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka respektuar Statutin e saj dhe ka shkelur Ligjin për Sport duke caktuar 6 prillin si datë të zgjedhjeve për kryetar.

    Departamenti Ligjor i MKRS-së, në konstatimet e tyre ka thënë se me veprimet e fundit për dhe rreth thirrjes së Kuvendit të Federatës së Futbollit, nuk është respektuar Statuti i Federatës dhe po ashtu janë konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport.

    MKRS ka kërkuar nga organet drejtuese të Federatës që të ofrojë informacione të detajuara përkitazi me veprimet procedurale të thirrjes së Kuvendit.

    Dokumentari i plotë: InDoks | ‘Huligani’ që zaptoi Federatën e Futbollit

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark