Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qenë sot në Drenas, në hapjen e fushatës parazgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të Drenasit, ku ka dhënë shumë premtime për qytetarët e Drenasit në rast se ata zgjedhin Ramiz Lladrovcin, kryetar, por në mbrëmje kur është kthyer në Prishtinë, ai ka marrë tjera premtime.
Në një postim të tijin në Facebook, Kadri Veseli ka treguar se dy këngëtarë të njohur, Era Istrefi dhe Ledri Vula i kanë premtuar atij dicka tjetër që nuk lidhet me premtimet elektorale.
Veseli ka thënë se këngëtarja Era Istrefi dhe reperi Ledri Vula në një ndejë të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë për 28 nëntor, i kanë premtuar se do të bëjnë hite.
“Ledri dhe Era më siguruan që hitet nuk do të mungojnë edhe vitin e ardhshëm”, ka shkruar Veseli.
Ledri sapo ka publikuar këngën e tij ‘A jena mirë” që është tashmë një hit, ndërsa Era Istrefi, prej hitit të saj që e bëri të njohur në botë “bon bon” nuk ka publikuar ndonjë këngë të re.