×
  • Lajme
  • Lajme

    Premtimi i Agim Bahtirit: Nuk lejoj që Vllahia të kalojë nën administrimin e Serbisë

    Insajderi
    18 November 2018 - 18:12

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka, kanë mbajtur një tubim me banorët e fshatit Vllahi.

    Në këtë tubim, sipas një njoftimi të Komunës, ishte edhe shefi i grupit parlamentari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi dhe banorë të fshatrave Vllahi, Zijaç, Melenicë dhe Dedi.

    Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth disa deklarimeve të disa politikanëve por edhe me publikimi i një harte, ku sipas ndarjes së re pas “Marrëveshjes Finale me Serbinë”, fshati Vllahi do të mbetej nën administrimin e komunave veriore, respektivisht të Serbisë.

    Fillimisht fjalën e mori kryetari i këshillit të fshatit Vllahi, Ramadan Ademi.

    “Brengosja e banorëve të fshatit Vllahi ka të bëjë me temën e shkëmbimit të territoreve, dhe prania e disa personave të panjohur të cilët po shfaqen në territorin tonë me qëllime të panjohura duke sjellë pasiguri tek banorët e fshatit Vllahi do mbetej nën administrim të shtetit të Serbisë. Ky rajon ka pasuri të mëdha nëntokësore të cilat na i ka dhuruar Zoti, dhe ne nuk do të lejojmë askënd që ti prekë e lë më ti marrë ato, sepse Vllahia nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Zveqanit por gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Mitrovicës”, citohet të ketë thënë Ramadan Ademi.

    Banorët e tjerë të fshatit kanë shprehur shqetësimet e tyre duke theksuar se se si ditët e fundit po ka vizita nga persona të panjohur të cilët po prezantohen si shtetas të huaj por që po flasin gjuhën serbe.

    Dyshimi kryesor thonë ata se qëndron në interesimin e Serbisë për nëntokën e Vllahisë dhe të Zijaçës në të cilat deri tani janë bërë 37 shpime hulumtuese dhe kanë rezultuar me rezerva të mëdha të mineraleve të çmueshme në tregun botërorë.

    Po ashtu Zenel Hajdari, banor i fshatit Zijaç e përmendi edhe faktin që para dy muajsh në fshatin Vllahi janë gjetur disa shenja të panjohura për të cilat pastaj Agjensioni Kadastral konfirmoi se janë bërë nga ta.

    Kjo edhe më shumë i bën dyshues banorët e Vllahisë për një skenar të padëshirueshëm për fshatin e tyre.

    Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, theksoi para të pranishmëve se arsyeja e këtij tubimi ka lindur pikërisht me kërkesën e banorëve.

    Kurse, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi dëgjoi të gjitha mendimet e banorëve nga katër fshatrat, tha se qëndrimi I tij sa i përket temës së shkëmbimit të territoreve është shumë i qartë.

    “Nuk ka të drejtë askush, madje as presidenti të ngrit çështjen e shkëmbimit të territoreve sepse për këtë vend është derdhur shumë gjak. Iniciativa e presidentit është e gabueshme, dhe këtë gjë ia kam thënë disa herë sepse çështja e Kosovës është shumë specifike dhe si e tillë është trajtuar edhe ndërkombëtarisht. Ne e gëzojmë një shtet të pavarur dhe sovran të cilin nuk na ka falur askush por atë e kemi fituar duke luftuar për treqind vite me radhë. Po ju garantoj se deri sa unë të jem kryetar i komunës së Mitrovicës, nuk do të lejojë asnjëherë që fshati Vllahi e as fshatrat tjera që pretendon ti marrë Serbia të jenë nën administrimin e saj, por përveç kësaj do ta liroj edhe Urën e Ibrit pa asnjë kusht të vetëm”, citohet të ketë thënë Agim Bahtiri.

    Edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, tha se në emër të degës së LDK-së do ta ngrisin zërin dhe do ta adresojnë këtë çështje deri tek institucionet qendrore.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark