×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Premtimi qesharak i Vuçiqit: Serbët e Kosovës liberalizimin e vizave do ta kenë brenda tetë muajsh

    Insajderi
    22 April 2023 - 17:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se “do ta zgjidhë çështjen” për serbët që kanë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së së Beogradit pas liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Në ditën e nënshkrimit në Parlamentin Europian, BE e bëri të qartë se liberalizimi vlen për pasaportat legjitime të lëshuara nga institucionet e Kosovës. Por, Vuçiq thotë se për këtë do të flasë me BE-në dhe se do ta zgjidhë brenda tetë muajve.

    Siç shkruan mediumi në gjuhën serbe “Kossev” janë rreth 80-90,000 qytetarë serbë me të Kosovës, të cilët ende përdorin si dokument udhëtimi pasaportën e lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e Beogradit. Ka pothuajse 15 vjet që Serbia lëshon pasaporta për serbët e Kosovës, por që janë të ndryshme nga ato për qytetarët e Serbisë.

    Edhe për këto pasaporta kërkohet vizë Shengen për të udhëtuar brenda Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi iu ka bërë thirrje qytetarëve serbë që brenda këtyre tetë muajve t’i marrin pasaportat e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

    “Qytetarët që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi, shpresoj, do ta shfrytëzojnë këtë periudhë tetëmujore për të marrë pasaporta të rregullta të Kosovës, në mënyrë që edhe ata të gëzojnë përfitimet e këtij vendimi”.

    Raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Thjis Reuten, ditën e ceremonisë është pyetur për këta serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi nëse me to mund të udhëtojnë lirshëm pas vendimit për liberalizimin e vizave.

    Reuten tha se kjo s’mund të ndodhë meqë ligji është i qartë që në zonën Schengen mund të udhëtojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

    “Legjislacioni është i qartë – pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë kanë viza. Vendimi është formuluar goxha me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.    

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark