×
Zgjedhjet 2021

Premtimi revolucionar i Berishës: Fushë Kosova ndër qytetet më të mëdha, me park prej 80 hektarë

Insajderi
14 October 2021 - 18:01
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Fushë Kosovës Burim Berisha është në kërkim të mandatit të pestë me 17 tetor. Ai aktualisht mban rekordin si kryetari i vetëm komunal në Kosovë i zgjedhur me votë direkte katër herë radhazi.

Për shumëkë ai ka bërë premtimin më të guximshëm të kësaj fushate nga të gjithë kandidatët për kryetarë komunalë. Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të tij Fushë Kosova do të bëhet ndër qytetet më të mëdha në shtetin tonë.

“Gjatë mandatit tim Fushë Kosova, si shtëpi mirëpritëse për familje nga e gjithë Kosova dhe trevat shqiptare, do të bëhet ndër qytetet më të mëdha në Kosovë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Ai gjithashtu ka shkruar se Lagjja e re e Nakaradës në qytetin e Fushë Kosovës është vendbanim i ri me perspektivë të madhe zhvillimore dhe me një infrastrukturë moderne në zhvillim e sipër. “Puna në parkun unik prej 80 hektarëve tashmë ka filluar”, ka shkruar ai, duke aluduar se kjo lagje dhe ky park do ta ndryshojnë qytetin e Fushë Kosovës përgjithmonë, duke e bërë të krahasueshëm me qendrat e mëdha urbane.

Kujtojmë se Fushë Kosova ishte pjesë e Prishtinës deri në vitin 1989, ndërkaq deri vonë ishte qytezë me një numër modest të banorëve. Vitet e fundit Fushë Kosova është zgjeruar hovshëm në numër të banorëve, gjithashtu në aspektin ekonomik e industrial.

Berisha në paraqitje publike vazhdimisht ka deklaruar se ekspansioni i Fushë Kosovës është aq i madh, sa mund të krahasohet vetëm me kryeqytetin, Prishtinën.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark